Turqi/ Policia arreston qindra aktivistë të komunitetit LGBT në Stamboll

Policia e Stambollit ka penguar zhvillimin e një tubimi të komunitetit LGBT, duke ndaluar qindra aktivistë.

Zyra e guvernatorit ka ndaluar mbajtjen e tubimit rreth Sheshit Taksim, në qendër të Stambollit, ndërsa aktivistët kanë sfiduar autoritetet turke duke mbajtur flamuj shumëngjyrësh për të ashtuquajturën parada e krenarisë.

Organizatorët kanë thënë që më shumë se 200 pjesëmarrës dhe aktivistë pro komunitetit LGBT janë ndaluar dhe policia ka refuzuar t’iu mundësuar atyre posedimin e avokatëve.

Disa prej tyre raportohet se janë liruar.

Disa reporterë pretendojnë se policia ka ushtruar dhunë ndaj disa aktivistëve.

Autoritetet ende nuk kanë njoftuar zyrtarisht se sa persona kanë ndaluar.

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejta të Njeriut u kishte bërë thirrje autoriteteve turke në 24 qershor që të lejojnë tubimin dhe të garantojnë sigurinë e pjesëmarrjes.

Turqia është bërë një prej shteteve të pakta myslimane që ka lejuar Paradën e Krenarisë më 2003, megjithatë tubime të tilla janë ndaluar që prej vitit 2015.