Një shtetas shqiptar, që për 19 vite me radhë i kishte shpëtuar prangave, pavarësisht se në vendin tonë kërkohej për një krim shumë të rëndë, u arrestua para 5 vitesh në Greqi, gjatë një operacioni ndërkombëtar antidrogë.
Dje, ai u ekstradua nga Athina në Tiranë, ku iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Bëhet fjalë për Fatos Muçin, 44 vjeç, nga Tepelena, i cili në vitin 1997, bashkë me dy persona të tjerë, u akuzuan për vrasjen e një qytetari në Mallakastër, gjatë një grabitjeje. Në një kohë që ende nuk kishte ishte përgjigjur para drejtësisë për krimin e rëndë, Muçi u arrestua bashkë me 29 persona të tjerë, gjatë një operacioni antidrogë, që u shtri thuajse në të gjitha shtetet e Ballkanit në vitin 2016.
Policia tha në atë kohë, se Fatos Muçi, bashkë me disa persona të tjerë të arrestuar, kishte rolin e ndërmjetësuesit në grupin e strukturuar kriminal. Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “Ballkan”, u shtri në Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Bullgari, e Kosovë dhe u finalizua me arrestimin e 30 personave, 14 prej të cilëve në vendin tonë. Ndërsa 23 të tjerë u shpallën në kërkim, si pjesë e rrjetit të trafikut të drogës.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Turqi, Itali, DEA-n amerikane dhe SELEC, finalizuan më 7 korrik të 5 viteve më parë një ndër operacionet më të gjera kundër narkotrafikut, pas një hetimi që zgjati më shumë se 15 muaj.
VRASJA GJATE GRABITJES
Sipas dosjes penale të Gjykatës së Apelit të Vlorës, më 31 korrik të vitit 1997, Robert Meraj dhe Florian Sinani kanë qenë duke udhëtuar me një autobot të ngarkuar me karburant nga Tepelena për në Durrës e më tej në Laç. Në fshatin Povel të Mallakastrës, ata janë parakaluar nga një “Mercedes Benz” dhe nga personat që ndodheshin në të, janë qëlluar me armë zjarri. Robert Meraj ka ndaluar automjetin dhe ka zbritur prej tij së bashku me Florian Sinanin, i cili ka qenë i armatosur me automatik dhe me pistoletën personale, të cilën e kishte me leje, pasi kishte qenë punonjës Policie.
Aty i kanë grabitur personat që i kishin parakaluar dhe më pas i kanë lënë të lirë. Kur Meraj e Sinani janë kthyer nga rruga, në vendin e quajtur “bajamet” është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e pasagjerit dhe plumbi ka kapur në brinjë Robert Merajn, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Për këtë ngjarje, Sinani ka dyshuar mbi Selam Xhaferin, Fatjon Zoton dhe Fatos Muçin, të tre nga Tepelena dhe për këtë arsye, ata janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Fierit për grabitje dhe vrasje.
VENDIMET GJYQESORE
I vetmi që ishte arrestuar për këtë krim ka qenë Fatjon Zoto, ndërkohë që Selam Xhaferi dhe Fatos Muçi nuk ishin arrestuar kurrë. Megjithatë, më 2 dhjetor të vitit 2010, Gjykata e Fierit ka vendosur të deklarojë fajtorë tre të akuzuarit, duke i dënuar me nga 15 vite burg. Ky vendim mësohet se është apeluar në Vlorë, por Gjykata e Apelit, më 22 nëntor të vitit 2011, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të marrë nga togat e zeza në Fier. Pas kësaj, çështja është dërguar nga mbrojtja e të pandehurve në Gjykatën e Lartë, pasi ata nuk e kanë pranuar asnjëherë krimin e kryer në vitin 1997. Sipas të dhënave, kundër këtij vendimi, më datë 16 dhjetor 2011, ka ushtruar rekurs i gjykuari Fatjon Zoto.
Pas tri vitesh nga rekursi, pikërisht më 2 korrik të vitit 2014, Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim këtë çështje dhe ka vendosur prishjen e vendimit të vitit 2011 dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Apelit në Vlorë, por me tjetër trupë gjykuese. Në vitin 2015, Policia arrestoi vëllain e të dyshuarit Selam Xhaferri, që ndodhej në paraburgim për ngjarjen e ’97-ës, pasi dyshohej se u kishte dhënë 20 mijë euro dy personave, njëri prej të cilëve shofer i Gjykatës së Apelit të Vlorës, me qëllim që të ndikonin në vendimin që do merrej për të vëllanë.
Mar nga Panorama.al