Imoshuari Fasli Hyka, i cili qëlloi me çifte drejt tre të rinjve mesnatën e 9 Janarit nga ballkoni i banesës, do të shtrohet përkohësisht në spitalin e burgut të Shën Kollit. Vendimi u mor nga Gjykata e Shkodrës pasi ka nevojë emergjente që të marrë mjekimet.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 9 janarit, kur 83-vjeçari qëlloi me armë nga kati i pestë i banesës së tij, drejt 3 të rinjve që po qëndronin në rrugë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, teksa i moshuari më pas kërcënoi edhe efektivët e policisë që hynë në shtëpinë e tij për ta arresuar. Sipas uniformave blu, i moshuari ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.
Ndërkohë bëhet e ditur se djali i tij u përpoq që të negocionte me të, por u desh ndërhyrja e forcave speciale që ndërhynë nga ballkoni për ta arrestuar.
Njoftimi i policisë për ngjarjen më 9 janar:
Një i moshuar ka terrorizuar lagjen “Rus” ne qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Fasli Hyka ka qëlluar me çifte nga ballkoni i shtëpisë së tij. Fatmirësisht kanë shpëtuar pa u lënduar 3 të rinj që dyshohet se ishin objektiv i të shtënave.
Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.
I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë pasi sipas tij, jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin. Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve, kalimtarë të rastit që arritën të shpëtojnë. Më përpara efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk pranoi.
Në momentet kur policia i bënte thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften e tij si një shenjë rezistence. Në këto kushte u desh ardhja e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët edhe ata nisën një negocim, por sërish 83-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej. Pas pak minutash mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar, por refuzoi edhe të birin. Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen dhe në pak sekonda arrestuan shtetasin Fasli Hyka duke e finalizuar me sukses këtë operacion i cili zgjati për afro 3 orë e gjysmë.
83-vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi ,të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mësohet se çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë.Ndërkohë mësohet se shtetasi Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.