Japonia ka qenë një nga surprizat e mëdha të Kupës së Botës. Skuadra aziatike ia doli që të kualifikohej nga një grup që kishte edhe Spanjën e Gjermaninë, duke i mundur të dyja e duke dalë në vendin e parë.Një arritje e jashtëzakonshme për ta, edhe pse më pas në fazën me eliminim direkt, u eliminuan nga Kroacia me penallti. Por për tifozët e tyre, ky Botëror ishte gjithsesi një eksperiencë shumë pozitive. Ndaj në momentin kur ekipi është kthyer në Tokio, lojtarët dhe stafi janë pritur si heronj.
Qindra fotografë e kameramanë, por edhe qindra tifozë kanë pushtuar aeroportin në Tokio për të pritur skuadrën mes duartrokitjeve dhe ovacioneve për një paraqitje që është vlerësuar nga të gjithë.“Këta lojtarë kanë treguar nisjen e një epoke të re për futbollin japonez. Nuk bëhet fjalë vetëm për kualifikimin në fazën me eliminim direkt, por që hodhëm themele të reja. Mundëm Gjermaninë dhe Spanjën, që do të thotë që kemi mundur fitues të mëparshëm të Kupës së Botës”, tha trajneri Hazhime Morijasu pas mbërritjes në Japoni. Pritet që trajneri të konfirmohet së shpejti në detyrën e tij, pasi të gjithë janë të bindur se mund të drejtojë ekipin me sukses edhe në Botërorin e katër viteve më vonë.