U kthye në meme, por Inter nuk heq dorë nga Lukaku. Zikaltërit ndezin merkaton

Romelu Lukaku ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të Interit në finale. Sulmuesi belg zhvilloi një paraqitje shumë të dobët, ndali Dimarco-n ndërsa shpërdoroi një rast të pastër me portën e boshatisur, detaje këto që në fund rezultuan përcaktuese. Pavarësisht këtij fakti, presidenti Zhang dhe stafi drejtues i Interit nuk kanë ndërmend të ndahen nga Lukaku, kërkojnë të zgjasin bashkëpunimin me belgun.Lukaku do të rikthehet te Chelsea pasi i përfundon huazimi, por drejtuesit e Interit janë të gatshëm të paraqesin një tjetër ofertë për ta mbajtur në Milano edhe për një tjetër vit, gjithnjë nëse Chelsea pranon skonto për shërbimet e tij. Në dilemë është edhe e ardhmja e Edin Dzeko-s. Boshnjaku ka marrë një ofertë zyrtare nga Fenerbahçe, me turqit që i kanë vendosur në tavolinë një kontratë 2-vjeçare dhe 5 milionë euro në sezon. Inter i ofron kontratë 1-vjeçare dhe 4 milionë euro. Nëse palët nuk gjejnë një akord, Inter do të tentojë të afrojë në skuadër Gianluca Scamacca.Sulmuesi “azzurr” pritet të largohet nga West Ham, ndërsa Inter është i hapur për një huazim. Corriere dello Sport vjen me një tjetër lajm në lidhje me merkaton zikaltër. Achraf Hakimi mund të rikthehet në Milano këtë verë pasi dëshira e anësorit maroken është të largohet nga PSG.