Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Ballagat të Lushnjes, ka mbetur e plagosur shtetasja, Bajame Seneja, 60-vjeç. Mësohet se gruaja është qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje dhe ka marrë një plumb në këmbë. Si pasojë e plagëve të marra, 60-vjeçarja është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bëhet e ditur se policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:20, në fshatin Ballagat, Lushnjë, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasja B. S., 60 vjeçe, banuese në Ballagat, Lushnjë, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lushnjës dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.