Ukraina me një këmbë në BE, Rusia përshkallëzon agresionin në Donbas

Ndërsa lufta në Ukrainë sot ka hyrë në muajin e katërt, vendi përballet me dy anët e medaljes, nga njëra anë Bashkimi Europian miratojë kërkesën e Kievit drejt rrugës së gjatë te pranimit në bllokun prej 27 anëtarësh dhe nga ana tjetër avancimet e ushtrisë ruse ne jug lindje të vendit.   

Dhënien e statusit të vendit kandidat në BE, si Kievi dhe Brukseli e konsideruan si një “moment historik”. Presidenti Volodymyr Zelenskiy, e përshëndeti menjëherë vendimin e marre te enjten ne mbrëmje, duke thënë: “E ardhmja e Ukrainës është në BE, është një fitore qe kemi pritur për 120 ditë e 30 vjet”, tha ai, duke iu referuar kohëzgjatjes së luftës dhe dekadave që kur Ukraina fitojë pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. “Dhe tani ne do ta mposhtim armikun”, shtoi Zelensky.

Por në terren forcat ruse po bëjnë progres të ngadaltë dhe të qëndrueshëm në Ukrainën lindore pasi kanë nxjerre mësime nga gabimet e bëra gjatë fazave të mëparshme të pushtimit të vendit, duke përfshirë koordinim më të mirë të sulmeve ajrore dhe tokësore dhe përmirësimin e linjave logjistike, por edhe si rezultat i superiorteti të arsenalit ushtarak.

Beteja për dy qytete kyçe në Ukrainën lindore po shkon drejt “një kulmi të frikshëm”, thotë Oleksiy Arestovych këshilltar i presidentit ukrainas. Rusia tani kontrollon të gjithë Severodonetsk me përjashtim të fabrikës kimike Azot, ku qindra civile dhe forca ukrainase janë bllokuar. Bombardimet e pamëshirshme ruse ndaj fabrikës Azot janë të ngjashme me ato në rrethimin e përgjakshëm të uzinës se çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit, tashmë të pushtuar nga rusët.

Për të kuptuar gravitetin e situatës në rajonin e Donbasit mjafton te citojmë Presidentin Zelensky 10 ditë më pare: “lufta për qytetin e Severodonetsk mund të vendosë rezultatin e luftës në lindje të vendit”. Fokusi i luftës u zhvendos në lindje në fund të marsit pasi forcat ruse u tërhoqën nga rajoni rreth kryeqytetit  Kiev. Pjesë të mëdha të Donbasit, ku përfshihet rajonet e Donetskut dhe Luhanskut  kanë qenë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga luftimet e mëparshme në vitet 2014-15.

Kjo situatë dramatike në fushë betejë ka bëre që Zelensky tu bëje thirrje për të disatën herë aleatëve të Ukrainës që të përshpejtojnë dërgimin e armëve të rënda për t’iu përshtatur taktikave ruse në fushat e betejës. Dhe si gjithmonë Shtetet e Bashkuara janë një hap para aleatëve të tjerë në përkrahjen që japin ndaj Ukrainës. SHBA do të dërgojnë 450 milionë dollarë shtesë ndihmë ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë sisteme shtesë raketash me rreze të mesme veprimi. Paketa e fundit përfshin edhe sisteme raketash të lëvizshme, te njohura si HIMARS, dhjetëra mijëra fishekë municionesh artilerie si dhe varka patrullimi, njoftuan të enjten zyrtarët e Pentagonit. Me dërgesat e fundit, kontributi i SHBA-së për ushtrinë e Ukrainës arrin në deri më tani në 6.1 miliardë dollarë.

Padyshim përkrahja e SHBA dhe Perëndimit ka qenë e pakursyer ndaj Kievit, ndërkohe qe udhëtimi i gjatë i Ukrainës drejt familjes së BE-së sapo ka filluar. Statusi i saj kandidat mund të paraqesë një fitore morale, por njëkohësisht dërgon një mesazh të qartë dhe me zë të lartë për Rusinë si dhe i jep një grusht planeve hegjemoniste të Vladimir Putunit në Europë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se ishte “një ditë e mirë për Evropën”, ndërsa  Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ishte vendim historik që dërgoi “një sinjal të fortë ndaj Rusisë në kontekstin aktual gjeopolitik”. Ndonëse vlerësimet amerikane japin një imazh të zymtë mbi të ardhmen e luftës, me humbje të larta në jete njerëzish dhe mjetesh ushtarake nga të dyja palët.