Myrto Uzuni ka shënuar sot golin e tij të 19 në këtë edicion të La Liga 2, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon. Një lajm padyshim i mirë për trajnerin Silvinjo, i cili ka në dispozicion një armë të rëndësishme për ndeshjen ndaj Polonisë që luhet në fundin e marsit.Shifrat tregojnë se sulmuesit shqiptar i duhet shumë pak kohë dhe hapësirë në dispozicion për të lenë shenjë. Sipas statistikave të përpiluara nga “SOFASCORE”, Uzuni “bëri detyrën” me vetëm 29 prekje gjatë gjithë ndeshjes të përfunduar 2-2 ndaj Ponferradina. Kjo edhe për faktin se ishte gjithmonë i rrethuar nga shumë mbrojtës, të cilët i shkaktuan faullin e parë që pas 6 sekondash lojë.
E megjithatë, ai ia doli të shënonte falë një penalltie, teksa për paraqitjen e tij në ndeshjen e sotme, Uzuni është vlerësuar me notën 7,3, në një duel ku mrekullitë e portierit Amiri i mohuan gola thuajse të sigurt në pjesën e parë.