Vajza e deputetes Luljeta Bozo tender 100 mln lekë. Rrezikon mandatin. A do arrestohet rektorja Kseanela Sotirofski?

Sizmiologia e njohur, Luljeta Bozo, u afrua nga kryeministri Edi Rama në ekipin e deputetëve të sigurt në zgjedhjet e 25 Prillit 2021, për të paktën dy arsye kryesore, njëra publike dhe tjetra politike:

Së pari, Bozo u bë një figurë e pëlqyer nga publiku me ekspertizën e saj pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019.

Së dyti, si deputetja më e vjetër në moshë, ajo kishte të drejtën e fjalës hapëse në punimet e Parlamentit të ri. Në mungesë të saj, fjala i takonte ish-kryeministrit demokrat dhe kundërshtarit më të fortë politik të Ramës, Sali Berisha.

Me marrjen e mandatit të deputetes, Lulejta Bozo, e cila kishte mbajtur këtë pozicion edhe gjatë periudhës komuniste, siguroi privilegje, por edhe detyrime.

Një prej këtyre detyrimeve është fakti që ajo dhe familjarët e saj të ngushtë, përfshirë fëmijët madhorë, nuk duhet të përfitojnë fonde nga tenderat publikë.

Ky ndalim nuk është zbatuar në mënyrë rigoroze.

Zyra arkitekturore e Ilirjana Bozos, vajza e deputetes, ka përfituar një tender të zhvilluar nga Universiteti publik i Durrësit, me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra.

Tenderi në konflikt interesi

Në Dhjetor të vitit 2021, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, shpall tenderin për “Studim Projektim i Godines së Re të Fakultetit të Studimeve Profesionale” me fondi limit 9.038.696 pa TVSH.

Në Buletinin Publik të datës 26 Prill 2022, njoftohet se fitues paraprak është shpallur “Studio-Rebus”, me ofertë 8.850.000 lekë pa TVSH.

“Studio-Rebus” është në pronësi 50 përqind të Ilirjana Bozos, vajza e deputetes socialiste, Luljeta Bozo.

Ky fakt krijon dyshimet se tenderi është fituar në kundërshtim me ligjin për “Konfliktin e Interesit”.

Ky ligj, në nenin 21 të tij, parashikon që zyrtarëve me funksion deputet u ndalohet të lidhin kontrata me institucionet publike.

Ky ndalim shtrihet edhe për “personat e lidhur” me deputetët, që sipas këtij ligji janë “bashkëshortët dhe fëmijët madhorë”.

Universitetet publike konsiderohen “institucione publike”, sipas ligji “Për arsimin e lartë”, pasi një pjesë të rëndësishme të financimit të tyre e marrin nga Buxheti i Shtetit.

Pra, referuar përcaktimeve ligjore, vajza e deputetes Luljeta Bozo, nuk mund të përfitojë kontrata nga institucionet publike, siç është edhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Megjithatë, të dhënat zyrtare dëshmojnë se “Studio-Rebus”, në pronësi 50 përqind të Ilirjana Bozos, është shpallur fituese e tenderit publike me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra.

Ky tender mund të veshë me përgjegjësi penale rektoren Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës Kseanela Sotirofski, ndërsa Luljeta Bozo rrezikon të humbasë mandatin.