Van Gal: Holanda me lojë të mërzitshme? Do të shihemi në finale të Botërorit…

Luis van Gal nuk ka lejuar që kritikat mbi lojën ta prishin gëzimin e Holandës për kualifikimin, aq sa në fund të ndeshjes nuk i ka kursyer replikat me gazetarët që i kanë vënë në dukje që “Holanda bëri një lojë të mërzitshme”.“Mund të shprehësh mendimin tënd mbi çështjen, por kjo nuk do të thotë ta bësh fakt. Unë mendoj se ju e shikoni futbollin ndryshe nga unë.

Ju jeni i dërguar për të raportuar këtu deri në ditën e finales?”, i është drejtuar tekniku gazetarit duke vazhduar:

“Atëherë do të na shikosh këtu atë ditë”. Mbi objektivat dhe pritshmëritë e skuadrës së tij, trajneri u shpreh:

“Nuk e di si e keni parë ju ndeshjen, por sigurisht që ka gjithmonë vend për përmirësime.

Kemi shënuar dy gola shumë të bukur për t’u parë dhe kam menduar edhe për të qenë të kujdesshëm në fazën e zotërimit të topit.

Në fund jam i sigurt që të gjithë janë të lumtur për kualifikimin tonë dhe për faktin që do të vazhdojmë rrugën, për të cilën jemi shumë optimistë”.