4 shtetasit rus që vdiqën brenda një hoteli në Kavajë, ndodhen ende në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Mësohet se deri tani asnjë prej familjarëve të tyre nuk është paraqitur në morg.
Përfaqësues të ambasadës ruse janë në kontakt të vazhdueshëm me IML dhe familjarët e të ndjerëve lidhur me procedurat e transportimit të trupave në atdheun e tyre.
Puna e ekspertizës mjeko-ligjore për 4 turistët rus që humbën jetën në një hotel në Qerret të Kavajës, është mbyllur sa i përket marrjes së mostrave dhe të dhënave të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Ata ndodhen në ambientet e posaçme të IML në pritje të tërheqjes nga të afërmit.
Ndaj gjetjeve referuar edhe provave materiale, dëshmive apo analizave të hollësishme, pritet të ketë një përgjigje përfundimtare, ndërsa disa nga gjetjet ndodhen në laborator për të verifikuar kushtet e ambienteve të hotelit si dhe ujin e pishinës për të cilin ka dyshime të ketë pasur sasi të madhe klori ç’ka dyshohet të ketë sjellë edhe pasojat fatale për 4 anëtarët e të njëjtës familjes.