Ashtu sikurse e ka kthyer në traditë të përvitshme tashmë, si cdo fillim viti shkollor, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka uruar përmes një letre publike cdo fëmijë që ulet sot në bankat shkollore. Përmes kësaj letre mjaft të vecantë, kryebashkiaku i Tiranës inkurajon nxënësit për një vit të suksesshëm mësimor, ndërsa ndan me ta dhe disa prej sfidave dhe arritjeve.
“Sot sfidat me pandeminë na kanë vënë përballë vështirësive të njëpasnjëshme, si ne të mëdhenjve, ashtu dhe ju të vegjëlve, – shprehet mes të tjerash Veliaj, – por janë ligjet e natyrës me të cilat duhet të mësohemi dhe unë kam besim se do të dini t’i ktheni vështirësitë në përvoja”.
Veliaj vecon faktin se këtë vit për herë të parë plot 10 shkolla të reja hapin dyert për ta dhe shumë të tjera do ngrihen në muajt në vazhdim. Piramida, një tjetër projekt ambicioz, pritet të celë një tjetër epokë në fushën e dijes, ndërsa Kopshti Zoologjik, aq i dashur për më të vegjlit tanë, është surpriza që kryebashkiaku u dhuron fëmijëve.
Letra e plotë e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj:
I dashur nxënës,
Teksa po shkruaj këtë letër për ty dhe shokët e shoqet e tua, më duket sikur të shoh tek bëhesh gati për në shkollë, duke përgatitur fletoret, librat, e duke i zbukuruar me etiketat që mbajnë emrin tënd. E tëra është një atmosferë e bukur, që ndodh vetëm një herë në vit. Ndaj, të shoh të gëzuar!
Sot sfidat me pandeminë na kanë vënë përballë vështirësive të njëpasnjëshme, si ne të mëdhenjve, ashtu dhe ju të vegjëlve. E megjithatë, të gjithë i ngjajmë një peme që rritet në natyrë mes ditëve të mira me diell, ditëve të nxehta apo atyre me shi e shtrëngata, breshër e borë, por që në fund e ndihmojnë pemën të rritet më e fortë, duke i hedhur rrënjët gjithnjë e më thellë në tokë, me trungun që sa vjen e forcohet dhe kurora bëhet më e dendur dhe më e bukur.
Është e njëjta rrugë që kam zgjedhur edhe unë me skuadrën time fantastike në Bashkinë e
Tiranës. I kemi përveshur mëngët që të gjitha shkollat të jenë gati në 27 shtator, të mirëmbajtura, të dezinfektuara e të pastruara mirë. Këtë vit, si asnjëherë më parë, në qytetin tonë hapim dyert e 10 shkollave të reja, me kushte më të mira, më të mëdha e me më shumë dritë, palestra e fusha sportive të reja, si dhe laboratorë të mirëpajisur. Është çështje kohe që ky standard të prekë secilën shkollë të kryeqytetit, e ndoshta, një ditë, e shpresoj shumë, që të jesh edhe ti pjesë e kësaj skuadre, për ta bërë realitet këtë ëndërr të përbashkët.
Por, Piramida është vetëm një nga thesaret që po bëjmë gati për ju. Kopshti i ri Zoologjik është surpriza e radhës! E ndërkohë, në listën tonë kemi edhe plot projekte të tjera fantastike. Nuk do të jetë e lehtë t’i realizojmë të gjitha menjëherë, por unë jam i bindur se në këtë mision do të na bashkohesh shumë shpejt edhe ti si arkitekt, inxhinier, programues apo çdo profesion tjetër që na jep një dorë të ndërtojmë qytetin që ti dhe shokët e tu ëndërroni, sepse vetëm përmes jush e pamundshmja e sotme do të bëhet e mundur nesër.
Ndaj i dashur nxënës, përkushtoju dijes, koha është tani. Suksese në mësime!
Miku yt besnik!
Erioni.