Vëllai i Ymer Markut me 2 emra ndërton pallat mes rrugës së Tiranës, policia dhe prokuroria heshtin. Dyshime për burimin e parave dhe aktivitetin

Me dhjetëra qytetarë shqiptarë kanë bërë burg për një shtesë pa leje, dritare, tjegull apo gardh.
Të tjerë ngrenë pallate pa leje mbi plazhe, parqe, rrugë dhe kolektorë, nën hundën e policisë dhe prokurorisë, pa u hyrë gjemb në këmbë.

Ky pallat i ndërtuar muajt e fundit mbi kanalizime dhe në këtë rrugë dytësore në Tiranë, është ilustrim i drejtësisë me dy standarde, kapjes së policisë nga krimi dhe korrupsioni, i pastrimit të parave dhe lidhjeve politike.

Sipas denoncimit të referuar në redaksinë e Prapaskenës, pallati është ndërtuar në njësinë numër gjashtë të Tiranës, në mënyrë të paligjshme, mbi kolektorë dhe duke ngushtuar rrugën publike.

Sipas burimeve, pas këtij pallati qëndron Sokol Marku, vëllai i Ymer Markut, i cili ka qenë kryetar i Komunës Berxullë për periudhën 2003-2015, si dhe kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e Vorës në zgjedhjet e pjeshme lokale të 6 marsit, ku humbi në mënyrë dramatike.

Sokol Marku ka ndryshuar emrin në Marsel, ndërsa nuk dihet se cili është burimi i parave për ndërtimin e pallatit.

Ky personazh nuk rezulton me ndonjë historik të mirëfilltë biznesi, ndërsa vëllait të tij Ymer Markut i kanë dërguar herë pas here shuma të mëdha parash nga jashtë vendit.

Skandali konsiston në faktin se Marku i ka shpëtuar veprimit të ligjit jo vetëm për burimin e parave, por për ndërtimin e pallatit mbi rrugë, mbi kanalizime si dhe për zaptim të hapsirave publike.

Pse shefi i komisariatit nr. 6 nuk e ka parandaluar ndërtimin e paligjshëm në zonën e tij dhe pse nuk e ka referuar në prokurori?

A janë sinjalizuar organet e tjera ligjzbatuese dhe kush ua ka mbyllur sytë?

Ymer Marku fshehje pasurie

Ymer Marku ka qenë kryetar i Komunës Bërxullë nga viti 2003 deri në vitin 20015, ku është lakuar për abuzime, fshehje pasurie dhe pasuri të pajustifikuar.

‘Prapaskena’ mëson se në vitin 2010 Ymer Marku është marrë i pandehur për deklarim të rremë të pasurisë nga prokurori Julian Xhengo, por që Marku i shpëtoi dënimit në mënyrë të dyshimtë.

Në vitin 2004, Ymer Marku ka deklaruar një shtëpi banimi në Tiranë me vlerë 2 milionë lekë, një lokal me vlerë 5 milionë lekë dhe një makinë 400 mijë lekë.

Sipas dosjes penale, Ymer Marku e ka deklaruar edhe një herë shtëpinë private, këtë herë në vlerë rreth 100 mijë euro dhe lokalin, këtë herë në vlerë rreth 140 mijë USD, si 3 dynym tokë me vlerë 60 mijë USD, si dhe makinë Benz 15 mijë USD.

Por, prokuroria ka zbuluar një llogari të Ymer Markut, në Tirana Bank, ku qarkullonin para të dyshimta dhe të padeklaruara.

Në vitin 2006, në llogarinë e Ymer Markut është derdhur shuma 71 mijë euro, transaksion ky që nuk është deklaruar nga ish kryetari i komunës.

Një vit më vonë, në 2007, në llogarinë e tij janë derdhur edhe 45 milionë lekë, edhe kjo shumë e padeklaruar. Sipas prokurorisë, Marku nuk i justifikonte këto para me burime të ligjshme të ardhurash.

ILDKPKI ka zbuluar edhe një makinë Benz ML në pronësi të Markut, të cilën e kishte deklaruar më çmim qesharak 2.3 mijë euro.

Për paratë në llogarinë në Tirana Bank, Ymer Marku ka sajuar një alibi, sikur paratë ia ka dërguar Admir Aliaj nga Anglia, me qëllim që Marku t’ua japë prindërve të tij.

Një justifikim i banal dhe qesharak, pa asnjë dokument në kohën e depozitimit të parave, por që gjyqtari Martin Deda e ka pranuar, duke shpallur Ymer Markun të pafajshëm.