Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula thotë se qytetarët duhet të kërkojnë rimbursim nga qeveria për paratë shtesë që kanë dhënë pas rritjes së çmimit të ushqimeve të shportës nga ana e Bordit të Transparencës.
Në një intervistë për Panorama TV, Sula deklaroi se PD do i mbështesë qytetarët dhe do e ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar bordin e çmimit të ushqimeve, vërtetoi akuzat e opozitës ndaj këtij mekanizmi të vendosur nga qeveria. Deputeti demokrat thotë se që prej ngritjes së bordit, çmimi i ushqimeve është rritur me 76.7%.
Ada Hazizolli: Bordi i Transparencës nuk solli normalizimin e çmimeve. A mendoni se është antidemokratike?
Dashnor Sula: Këto borde nuk kishin asnjë afat kohëzgjatje. Akti normativ që vjen nga qeveria vjen në kushtet e emergjencës. Ne e kishim emergjencën që prej vitit 2020 për shkak të pandemisë. Nëse bordi do kishte bërë të mundur të ndihmonte qytetarët. 76.7% u rritën produktet e shportës nga marsi i 2022 deri më sot. Ku është efekti i bordeve? Kjo është e vërteta. Kjo është një çmenduri e kësaj qeverie. Ata e kanë të thjeshtë, varfërojnë xhepin e qytetarëve.
Në vend që buxheti i qytetarëve të përdorej i shtrirë në kohë më shumë, qytetarët i përdorën në pak muaj. Ne paguajmë, konsumatorit i takon gjithçka. Më parë, 17 mijë lekë ka qenë një shportë me produktet bazë, ndërsa sot ka shkuar në 29 mijë lekë. Çfarë bën qeveria? Grumbullojnë para, nuk investoheshin por shkonin për të mbushur xhepat e tyre. Paguheshin inceneratorët apo dhe PPP-të. Ky vendim i GJK-së, e vërtetoi plotësisht këtë. Do ishte në nderin e kësaj qeverie, duhet ta pezullojë një orë e më parë bordin e karburanteve.
Ada Hazizolli: Bordi i transparencës ka funksionuar gjatë kësaj periudhe. A duhet që qeveria të rimbursojë qytetarët?
Dashnor Sula: Një qeveri e përgjegjshme e bën. Por një qeveri e papërgjegjshme nuk e bëri në momentin që duhej, por u mori lekët qytetarëve. Vetëm produktet bazë, shkonin me 76.7% me rritje. Kjo qeveri, mos të presim që të ndihmojnë qytetarët. A i dëgjoni ministren e financave, qeverinë të flasë për ndihma. Kjo ka vetëm një rrugë, rruga ligjore. Ne do japim kontributin tonë që qytetarët t’i drejtohen gjykatave për rimbursimin.
Ada Hazizolli: Çfarë pritshmëritë keni për bordin e karburanteve?
Dashnor Sula: E kam parë me sytë e mi se si drejtohej seanca në Gjykatën Kushtetuese. Dukej që kishte një frymë pozitive përgjegjshmërie për të vlerësuar. Ky vendim është në zbatim të Kushtetutës. Ka ndodhur herë të tjera që opozita ka pasur të drejtë, ndërsa nuk kanë marrë vendimin. Edhe bordi i karburanteve, jam i bindur që qeveria do ta shfuqizojë sa më shpejt. Nëse i ka mbetur ndonjë fije ndërgjegje, do e bëjë sa më parë.