Analisti Fatos Lubonja ka analizuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, ky kryedemokrati Lulzim Basha vendosi që të mbledh Kuvendin më 18 dhjetor.
Në një lidhje skype për rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lubonja theksoi se kjo lëvizje e Bashës ishte një tjetër gabim politik.
Sipas tij, do të ishte më mirë që Basha të mbështetej te njerëzit dhe përkrahësit e tij në parti dhe jo të vinte baste që përçan më tepër PD-në, duke bërë sipas tij lojën e kundërshtarit.
“S’dua ta gjykoj Bashën si e gjykojnë kundërshtarët e tij, si ‘peng’ apo ‘tradhtar’. Por do e gjykoj nga pikëpamja politike se çfarë efekti kanë vendimet e tij. Mua më duket se ai është në vazhdën e një sërë gabimesh politike siç është ky sot. Po pse? Sepse kjo na çon në dy Kuvende. Në atë të Berishës më 11 dhe një më 18 dhjetor. Na çon në një përplasje, përçarje, lojë të kundërshtarit të tij politik. Ai duhet të kishte bërë të gjitha veprimet e duhura politike që të kishte evituar këtë që ka ndodhur në PD. Ai bëri gabim kur iu tha ‘po’ amerikanëve dhe përjashtoi Berishën nga grupi. Në këtë rast nëse mendojmë se gabimet korrigjohen, gjykoj se zgjidhja optimale e krizës, duhet të ishte një tentativë për të mos e përçarë PD, por për ta bashkuar. Kishte zgjidhje, jo duke thirrur një Kuvend tjetër, por duke bërë përpjekje për të sqaruar. Pasi ka kontradikta në këto vendime. Më parë thanë; ‘Këta nuk i kanë firmat, janë falsifikatorë’ (Për Berishën). Kjo ishte akuzë e rëndë, që duhej provuar. Zgjidhja ishte ajo që kishte propozuar Paloka që të kishte përfaqësues nga të dyja palët dhe të sqarohej gjëja. Ndërsa në vend të kësaj, tërhiqemi te kjo. Statusi thotë; ‘Mund të thirret Kuvendi nga kryetari dhe kur ke ¼ e anëtarëve’. S’mund të thuash ti nëse aty bëhet fjalë për 4-5 mijë anëtarë të Kuvendit që; ‘unë nuk lejoj’. Gabimi politik i Bashës është se ka vënë bast që PD- ja do të bëhet më e fortë me mbështetjen e amerikanëve, por duke humbur mbështetjen e shumicës së demokratëve. Edhe amerikanët nuk është se janë me Bashën. Por ata janë me qeverinë.