Vendos goli i Dimarkos! Interi likuidon Juventusin e “përgjumur” dhe fluturon në finalen e Kupës së Italisë

Interi në finalen e Kupës së Italisë. Zikaltrit e Inzagit, mposhtën me rezultatin 1-0 Juventusin e “përgjumur” në duelin e kthimit të zhvilluar në “San Siro”, duke siguruar “biletën” për në finale. Kjo është hera e 15-të në histori që Interi shkon në finalen e Kupës së Italisë, teksa ka arritur të triufmojë në 8 rastë.

Pas barazimit 1-1 në duelin e parë në Torino, interistët në sfidën e kthimit iu falën golit të Dimarkos në minutën e 15-të, duke menaxhuar më pas mjaft mirë epërsinë.

Tashmë zikaltrit do të duhet të presin të mësojë kundërshtarin në finale, teksa ditën e nesërme do të luhet përballja e kthimit mes Fiorentinës dhe Kremonezes. Në duelin e parë skuadra vjollcë triumfoi me rezultatin 0-2.

FT INTER-JUVENTUS 1-0

Dimarko 15′