Vetëm Brozoviç ka bërë më shumë se ai, Asllani një tjetër motor për mesfushën e Interit

Empoli i dha formë një diamanti si Kristjan Asllani dhe diti të përfitonte maksimalisht me shitjen e tij tek Interi. Edhe pse mungon ende firma për ta zyrtarizuar, akordi është gjetur për huazimin me detyrim blerjeje prej 14 milionë eurosh, të cilave do t’u shtohen edhe 2 milionë të tjera në formë bonusesh dhe huazimi i Martin Satrianos, që do ta rrisin edhe më shumë fitimin e toskanëve.

EKSPERIENCA – E kur është fjala për të fituar, Asllani di si ta bëjë këtë, sepse vetëm sezonin e kaluar i dhuroi Empolit kampionatin italian të paratërinjve. Premisat e tij për të ardhmen janë të mëdha edhe për këtë arsye, por sidomos për faktin se ka treguar se hapësirat e tij për t’u rritur janë të pakufizuara.

Në kampionat debutoi në shtator, por priti 6 shkurtin për të luajtur ndeshjen e parë si titullar në Serinë A, kundër Bolonjës.

Që prej asaj ndeshjeje, Kristjani e ka nisur vetëm një herë nga stoli, ndërsa numëroi 14 të tjera si titullar i padiskutueshëm i Andreacolit, pozicion që e fitoi ndeshje pas ndeshjeje duke treguar karakter në mbajtjen e topit dhe zotërimin e zonës para mbrojtjes, shtuar edhe gjeometri dhe dinamizëm.

Në fillim të sezonit vlerësohej se ishte në 58% të formës së tij, ndërsa tani ka shkuar në 78%, shifra që nën tutelën e zikaltërve pritet të kenë tjetër rritje.

SA SHUMË KILOMETRA – Këto tipare, që në shtëpinë zikaltër nuk i ka askush përveç Brozoviçit, janë edhe ato që i dhanë statusin e të përzgjedhurit për të qenë ai zëvendësuesi i kroatit, me të cilin përveç tyre e lidh edhe një tjetër cilësi: kilometrat e përshkuara.

Brozo kryeson renditjen e Serisë A për këtë veçori, me 11.7 kilometra për ndeshje, por pavarësisht se është larg 29-vjeçarit, elbasanasi ka arritur të jetë ndër 10 të palodhurit e Serisë A, duke u renditur i shtati për sezonin që sapo u mbyll, me 11.05 kilometra për ndeshje.

Ajo që bie në sy ama është lënia pas e Barelës, njërit prej motorëve të skuadrës së Inzagit, që është pozicionuar i teti, me 10.9 kilometra.

Një diferencë jo e madhe mes tyre, por që bëhet e pakapërcyeshme nëse konsiderojmë kohën që kanë qenë në fushë, ku 3059 minutat e italianit janë më shumë se dyfishi i 1466 minutave të 20-vjeçarit.

Kështu, me Asllanin, mesfusha e Inzagit do të ketë një motor më shumë, për ta bërë të pandalshëm fluturimin e Interit drejt objektivave.