Në një kohë kur Kryeministri Edi Rama ka shpallur “luftë” ndaj bashkive që kanë toleruar zaptimin e hapësirave publike, një kryetar bashkie në qarkun e Beratit ka vendosur t’i shpallë luftë… vetë Ramës.
Me një arrogancë të paprecedentë, Kreshnik Hajdari, kryetari i Bashkisë Kuçovë, jo vetëm që ka refuzuar të zbatojë urdhrat e qeverisë për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike, por është shndërruar në simbolin e kundërshtimit institucional, duke deklaruar: “Unë jam Edi Rama i Kuçovës.”
Kjo deklaratë, që për disa mund të tingëllojë si një batutë e rëndomtë e provincës, në fakt është tregues i kapjes totale të pushtetit vendor dhe mbivendosjes së pushtetit lokal mbi ligjin dhe mbi vetë qeverinë qendrore. Sepse ndërkohë që në Tiranë, Durrës, Elbasan e Shkodër po zhvillohen aksione për largimin e ndërtimeve pa leje, në Kuçovë, ndërtimet pa leje sponsorizohen nga vetë bashkia.
Bëhet fjalë për një pronë në zemër të qytetit, të cilën Kreshnik Hajdari, përmes një akti të pashpjegueshëm ligjërisht, ia ka “falur” Gert Marës një emër jo i panjohur për organet e rendit, i njohur si trafikant droge dhe pjesë e botës së krimit në jug të vendit.
Sipas burimeve, kjo “dhuratë” e Hajdarit ndaj Marës nuk është as më shumë e as më pak veçse një kthim nderi për shërbime të bëra më parë, mes të cilave përmendet heshtja dhe pengimi i publikimit të disa skandaleve të rëndësishme që rëndojnë mbi kryebashkiakun Hajdari.
Ndërkohë që institucionet vendore e qendrore flasin për transparencë, ligjshmëri dhe “rilindje urbane”, në Kuçovë ndodh e kundërta, qyteti po “rilind” me themele të paligjshme, ku pronat publike kalojnë nga bashkia te krimi si në një serial mafioz ku skenari është i shkruar në zyrat e pushtetit lokal.
Në pamjet që qarkullojnë aktualisht, Gert Mara ka nisur ndërtimin e një objekti pa asnjë dokumentacion ligjor, pa leje ndërtimi dhe pa asnjë paralajmërim apo ndërhyrje nga inspektorati ndërtimor.
Madje, është vetë shefi i IMT Kuçovë ai që mbyll sytë dhe firmos me heshtje çdo skemë që kalon nga zyrat e Hajdarit. Jo vetëm kaq, por ndërtimi shoqërohet edhe me hapjen e puseve të ujit në mes të qytetit, një akt i rrezikshëm për mjedisin dhe sigurinë publike, që në çdo shtet normal do shoqërohej me ndalim penal të menjëhershëm.
Në vend të ndalimeve, kemi bekime. Në vend të verifikimeve, kemi bashkëpunime. Në vend të zbatimit të ligjit, kemi një model ku pushteti vendor funksionon si një degë e firmave kriminale, ku policia është kthyer në roje ndërtimesh ilegale.
Në këtë situatë, roli i policisë është më shumë se komprometues. Shefi i Komisariatit të Policisë Kuçovë ka zgjedhur të mos shohë, të mos dëgjojë dhe të mos veprojë. Dhe ndoshta nuk është vetëm zgjedhje, por pjesë e një marrëveshjeje që e shndërron policinë në një organ të lidhur drejtpërdrejt me interesat kriminale të ndërtimit dhe korrupsionit lokal.
Në ambientet e komisariatit të Kuçovës qarkullon me zë të ulët por këmbëngulës se shefi i policisë lokale ka përfituar 3 mijë euro për të mbyllur sytë ndaj një ndërtimi pa leje në qendër të qytetit, ku, sipas të njëjtave burime, gjysma e kësaj shume pra 1500 euro do t’i kalonin si “hise” drejtorit të Policisë së Beratit, duke përforcuar bindjen se në këtë zinxhir korrupsioni nuk ka më ruajtës të ligjit, por përfitues të tij.

Në videot që kanë qarkulluar së fundmi, furgoni i policisë së Kuçovës shihet qartë teksa qëndron i parkuar pranë vendit ku po kryhet ndërtimi pa leje, pa asnjë reagim apo ndërhyrje nga uniformat blu, duke dhënë kështu mesazhin e heshtur se ligji jo vetëm është dorëzuar, por tashmë është bërë spektator i shkeljes së tij.
Kuçova është një shembull laboratorik i asaj që ndodh kur institucionet vendosen në shërbim të krimit dhe pushtetit personal, dhe jo qytetarëve. Sot, në këtë qytet të vogël, shteti është kapur, ligji është përzënë dhe drejtësia është kthyer në një përrallë e trishtë që askush nuk e dëgjon më.
E vetmja pyetje që mbetet pa përgjigje është, a do reagojë Edi Rama ndaj këtij sfidanti lokal që i ka marrë “fronin” në miniaturë? A do të urdhërojë shkarkimin e Kreshnik Hajdarit dhe arrestimin e shefit të policisë së qytetit? Apo do të bëjë sërish atë që di më mirë të heshtë dhe të kalojë tek ngjyrosja e ndonjë tjetër fasade?