Pasi njoftoi tërheqjen e tij nga kombëtarja belge, Eden Hazard, u ndal të fliste për mediat dhe zbuloi se në nivel klubi gjërat nuk shkojnë mirë në karrierën e tij, pasi ai mezi flet me trajnerin Karlo Ançeloti.Ishte një deklaratë që çuditi tifozët e Realit, por trajneri italian e konfirmoi një fakt të tillë në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së sotme me Liverpulin.
“Shikoni, nuk është se ne kemi një marrëdhënie të ftohtë, por Hazard ka të drejtë kur thotë se ne nuk flasim shumë”, tha Ançeloti, duke vijuar: “Kjo mund të vijë për shkak të karaktereve të caktuara. Edhe me fëmijët për shembull, ti me disa flet më shumë se me të tjerët. Gjëja më e rëndësishme për mua është se ai më respekton dhe unë e respektoj”.
Karleto shpjegoi edhe përse belgu luan më pak në krahasim me lojtarët e tjerë: “Përse nuk luan Hazard? Sepse ka shumë konkurrencë. Në pozicionin e tij është një lojtar që po bën shumë mirë si Vinicius. Sezonin e ardhshëm unë do të mbështetem te lojtarët që klubi do të më vendosë në dispozicion”.
Reali duhet të mbrojë avantazhin 5-2 siguruar në “Anfield” për të siguruar një biletë në çerekfinalet e Champions-it sot kundër Liverpulit, por Karleto thotë se nuk ka ndërmend ta mbrojë atë: “Kjo është një ndeshje më e vështirë për ne sesa është për Liverpulin, sepse ata e dinë që duhet të hidhen në sulm prej minutës së parë. Rezultati i ndeshjes së parë mund të na krijojë shumë dyshime. Ne duhet të shmangim bërjen e llogarive gjatë ndeshjes. Mesazhi është i thjesht dhe i qartë: ne duhet të luajmë sa më mirë që të mundemi dhe me intensitet prej minutës së parë”.