Juventusi ka fituar me shifrat 2-0 “derbin e Italisë” ndaj Interit, duke marrë tre pikë që i mundësojnë të kalojnë zikaltrit në renditje, por sidomos që të marrin një shtysë të rëndësishme për moralin në një moment të komplikuar të sezonit.
Në pjesën e parë ishte Interi i cili diktoi ritmin, teksa krijoi mundësitë më të mira para portës së Sheznjit, por pa gjetur devijimin e duhur, teksa Juventusi vuajti shumë për të gjetur të çara përpara. .
Por në fraksionin e dytë të lojës, bardhezinjtë shënuan me gjuajtjen e parë në portë, kur pas një aksioni të Kostiç, Rabio dërgoi sferën në rrjetë. Shifrat u dyfishuan pak minuta më vonë nga Danilo, por ishte VAR-i ai i cili shpëtoi Interin që u hodh në kërkim të barazimit, duke lënë hapësira të mëdha për kundërsulmet e vendasve.
Kostiç gjeti shtyllën me një diagonale e më pas ishte përsëri protagonist në golin e dytë të Juventusit, duke dhënë pasimin për Faxholin i cili mbylli ndeshjen me goditjen e tij që u ndal në rrjetë.
Kështu, pas ndeshjeve të javës së 13, Juventusi e sheh veten në vendin e 5-të në klasifikim, vetëm 2 pikë larg zonës Champions, ndërsa lë në vendin e 7 Interin i cili në kampionat nuk ka gjetur ende veten në këtë sezon.