Dopieta në “Gewiss Stadium” e dërgoi Edin Xhekon në kuotën e 104 golave në Serinë A dhe e shndërroi atë në heroin e Interit edhe për këtë javë.
Pasi ndëshkoi në mesjavë Bolonjën, boshnjaku ishte protagonisti absolut i zikaltërve edhe mesditën e djeshme përballë Atalantës, duke siguruar tri pikët e fundit në lojë për 2022-shin që shërbyen për të ruajtur distancën prej 11 pikësh me kryesuesit e Napolit.
Gjithmonë e më shumë i vënë në pikëpyetje për shkak të 36 viteve të tij mbi supe dhe kontratës që i skadon në qershor, sulmuesi ka treguar pas ndeshjes se nuk mendon për asnjërën prej tyre dhe është tërësisht i fokusuar tek Interi.
PARAQITJA – “Ne e nisëm pak ngadalë si zakonisht, por pas pësimit të golit u zgjuam.
Nuk duhet pastaj të kishim lënë ta rihapnin ndeshjen, por ky është futbolli, janë gjëra që ndodhin. Atalanta është e rrezikshme dhe e dinim që do të vuanim.
Gjithsesi, mendoj se përveç 30 minutave të para kemi bërë mirë pjesën tjetër dhe pastaj kur çdo gjë përfundon si duhet, jemi të gjithë të lumtur, ndryshe do të thuhej që nuk bëmë mirë asgjë”.
MOSHA DHE RINOVIMI – “Vitet kalojnë për të gjithë dhe unë nuk bëj përjashtim, por për sa kohë të mundem do të jap gjithçka për Interin.
Personalisht unë kam mbi 15 vite që luaj në këtë nivel, nuk jam aspak i surprizuar me formën time, mbase të tjerët dhe ata që nuk më njohin po.
Rinovimi? Nuk po luaj për rinovimin, po luaj për Interin. Bëj maksimumin tim në stërvitje dhe pastaj nëse mund të ndihmoj skuadrën gjatë ndeshjes, jam i kënaqur dhe nuk po flas vetëm për ndihmë me gola. Unë dua të luaj këtu, kam kontratën deri në qershor, pastaj do të shohim”.
KAMPIONATI – “Tani jemi në formë të mirë dhe sigurisht që kur arrin këtë vazhdimësi preferon të vazhdosh të luash.
Tani ama vjen pauza dhe do ta përdorim për të pushuar, për të rimarrë energjitë dhe për ta rinsiur në mënyrën më të mirë ndaj Napolit. Ata kanë bërë një punë fantastike në Serinë A dhe Champions dhe kanë treguar sa të fortë janë, por kampionati është ende i gjatë, duhet të shohim para dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.