Studiuesit që hulumtojnë mbetjet njerëzore nga Pompei, kanë nxjerrë sekrete gjenetike nga eshtrat e një burri dhe një gruaje që u varrosën kur qyteti romak u përfshi nga hiri vullkanik.
Ky i parë “gjenom njerëzor pompeian” është një grup pothuajse i plotë i “udhëzimeve gjenetike” nga viktimat, të kodit të ADN-së së nxjerrë nga kockat e tyre.
ADN-ja e lashtë ishte ruajtur në trupat që ishin mbështjellë nga hiri i ngurtësuar nga koha.
Gjetjet janë publikuar në revistën Scientific Reports.
Dy personat u zbuluan për herë të parë në vitin 1933, në atë që arkeologët e Pompeit e kanë quajtur Casa del Fabbro ose Shtëpia e Zejtarit.
Ata kishin rënë në cep të dhomës së ngrënies, sikur po hanin drekë kur ndodhi shpërthimi – më 24 gusht 79 pas Krishtit. Një studim i fundit sugjeroi se reja e madhe e hirit nga shpërthimi i malit Vezuv mund të ishte bërë vdekjeprurëse për banorët e qytetit në më pak se 20 minuta.
Dy viktimat që studiuan studiuesit, sipas antropologes Dr Serena Viva nga Universiteti i Salentos, nuk ishin përpjekur të shpëtonin.
“Nga pozicioni i trupave të tyre duket se ata nuk po vraponin për të ikur,” tha Dr Viva për Inside Science të BBC Radio 4. “Përgjigja se pse ata nuk po iknin mund të jetë tek gjendja e tyre shëndetësore.”
Të dhënat janë zbuluar në këtë studim të ri të eshtrave të tyre.
“E gjitha kishte të bënte me ruajtjen e skeleteve,” shpjegoi Prof Gabriele Scorrano, nga qendra Lundbeck GeoGenetics në Kopenhagë, i cili drejtoi studimin. “Është gjëja e parë që ne pamë dhe dukej premtuese, kështu që vendosëm të bëjmë një përpjekje për nxjerrjen e ADN-së.”
Si ruajtja e jashtëzakonshme ashtu edhe teknologjia më e fundit laboratorike i lejuan shkencëtarët të nxjerrin një pjesë të madhe të informacionit nga një “sasi vërtet e vogël pluhuri kockash”, siç shpjegoi Prof. Scorrano.
“Makinat e reja të sekuencave mund të lexojnë disa gjenome të tëra në të njëjtën kohë,” tha ai.
Studimi gjenetik zbuloi se skeleti i burrit përmbante ADN nga bakteret që shkaktojnë tuberkulozin, duke sugjeruar se ai mund të kishte pasur këtë sëmundje para vdekjes së tij. Dhe një fragment kocke në bazën e kafkës së tij përmbante mjaftueshëm ADN të paprekur për të përpunuar të gjithë kodin e tij gjenetik.
Kjo tregoi se ai ndante “shënues gjenetikë” – ose pika referimi të njohura në kodin e tij gjenetik – me individë të tjerë që jetuan në Itali gjatë epokës perandorake romake. Por ai gjithashtu kishte një grup gjenesh që gjenden zakonisht në ato të ishullit të Sardenjës, gjë që sugjeronte se mund të kishte pasur nivele të larta të diversitetit gjenetik në të gjithë gadishullin italian në atë kohë.
Prof. Scorrano tha se do të kishte shumë më tepër për të mësuar në studimet biologjike të Pompeit – duke përfshirë nga ADN-ja e lashtë mjedisore, e cila mund të zbulonte më shumë rreth biodiversitetit në atë kohë.
“Pompei është si një ishull romak,” shtoi ai. “Ne kemi një fotografi të një dite në vitin 79 pas Krishtit.”
Dr. Viva shtoi se çdo trup njeriu në Pompei ishte “një thesar”.
“Këta njerëz janë dëshmitarë të heshtur të një prej ngjarjeve historike më të njohura në botë”, tha ajo. “Të punosh me ta është shumë emocionale dhe një privilegj i madh për mua”
.
