Zelensky: Rusia fajtore për më shumë se 400 krime lufte në Kherson

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se hetuesit kanë zbuluar më shumë se 400 krime lufte në zonat e Khersonit.

Zelensky bëri me dije se autoritetet kishin gjetur trupat e vrarë të civilëve dhe ushtarëve pas largimit të rusëve.

Ndërkohë autoritetet ukrainase njoftuan se vendosën një shtetrrethim gjatë natës dhe kufizuan udhëtimet brenda dhe jashtë Kherson.

“Në rajonin e Khersonit, ushtria ruse la pas të njëjtat mizori si në rajonet e tjera të vendit tonë, ku mundi të hynte”, tha Zelensky gjatë fjalimit të natës së djeshme.

“Ne do të gjejmë dhe nxjerrim para drejtësisë çdo vrasës. Pa dyshim”, shtoi ai.

Që nga fillimi i luftës, varreza masive janë gjetur në zonat e Bucha , Izyum dhe Mariupol . Ukraina ka akuzuar trupat ruse se qëndrojnë pas mizorive, ndërkohë që Moska ka mohuar akuzat.

Një komision i OKB-së deklaroi muajin e kaluar se krimet e luftës ishin kryer në Ukrainë dhe ëprgjegjëse për atë ishin forcat e ushtrisë ruse.

Kherson ishte i vetmi kryeqytet rajonal që u pushtua nga Rusia që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt.

Rajoni, së bashku me Luhanskun dhe Donetskun, u shpall nga Presidenti Vladimir Putin si pjesë e Rusisë, në një ceremoni në Kremlin në muajin shtator.

Qyteti i Kherson u çlirua nga trupat ukrainase të premten. Një fitore e rëndësishme në frontin e luftës, e cila u shoqërua me festime të shumta të ukrainasve në Kiev.