Olivie Zhiru kurrë nuk kishte përjetuar një fillim të tillë në karrierën e tij. Të paktën në Milano. As kur ai erdhi si alternativë e Ibrës para se të bëhej shumë shpejt titullar në vitin e Scudetto-s, as sezonin e kaluar kur, përkundrazi, pavarësisht se ishte titullar i paracaktuar, ai e nisi sezonin me frenat e dorës të ngritura për sa i përket aspektit realizues.
SHIFRAT E NJË NISJEJE REKORD – Në tri ndeshjet e para të kampionatit, 2 gola në sezonin e parë, vetëm 1 në të dytin dhe 4 në këtë start, duke numëruar penalltitë ndaj Bolonjës dhe Romës. Praktikisht Zhiru e çon topin në rrjetë çdo 52 minuta gola. Bombardues i përjetshëm. Karta e identitetit me sa duket e ngarkon dhe e bën më përgjegjës. Jo keq për dikë që do të mbushë 37 vjeç më 30 shtator.
THELBËSOR PËR DY EKIPE – Milanistët e duan, Didie Deshamp nuk bën dot pa të në kombëtare. Pavarësisht ndryshimit të brezit të përfaqësuar nga Mbape, Turam dhe Kolo Muani, Olivie vazhdon të jetë pika e referencës në frontin francez, pasi ka shënuar 8 gola në 15 ndeshje nga shtatori 2022 deri tani duke marrë parasysh edhe të 4 realizimet në Kupën e Botës.
Po të mundej, Pioli do ta vendoste në vitrinë. Ai e di se numrit 9 do t’i duhet të marrë frymë herë pas here gjatë impenjimeve të dyfishta mes Ligës së Kampionëve dhe kampionatit. Dhe kjo është arsyeja pse ai u përpoq kaq shumë për të pasur zëvendësuesin në majën e sulmit. Joviç do të duhet të bëjë jo pak përpjekje për të pasur hapësirë, megjithatë francezi, në hierarki, nuk mund të preket. Sa më shumë të plaket, aq më shumë luan e aq më shumë shënon. Fanella e titullarit, të paktën për momentin, është gjithmonë e tij. Interi e pret.