Të paktën 11 fëmijë të verbër kanë humbur jetën pasi një zjarr shpërtheu në orët e para të së martës në një shkollë në Ugandë.
Katër të tjerë janë në gjendje të rëndë dhe po trajtohen në spital.
Shkaku i zjarrit në konviktin e fëmijëve të verbër në Mukono, në lindje të kryeqytetit, Kampala, po hetohet.
Mendohet se të paktën 27 fëmijë po flinin brenda konviktit në Shkollën e të Verbërve Salama kur shpërthyem flakët.
“Asnjë fjalë nuk mund të shpjegojë dhimbjen që po kaloj”, tha për agjencinë e lajmeve AFP, Richard Muhimba, fëmija i të cilit humbi jetën si pasojë e zjarrit.
Mjeku Moses Keeya, i cili punon në spitalin lokal, tha se fëmijët e lënduar nga flakët kishin plagë kryesisht në krahë, këmbë dhe gjoks.
“Njëri prej tyre ka një djegie të thellë në kokë”, tha ai.
Ministrja e Arsimit Joyce Kaduchu shkoi në vendngjarje për t’I shprehur ngushëllimet prindërve.
“Të gjithë ne jemi zemërthyer,” tha ajo. “Sistemi ynë arsimor u jep të gjithëve një mundësi, pavarësisht se çfarë sfidash ka. Ne kemi humbur 11 fëmijë në rrethana shumë të rënda.”
Ajo shtoi se testet e ADN-së për të zbuluar identitetet e fëmijëve që humbën jetën nga flakët.
Në të kaluarën, zjarret në shkolla janë shkaktuar nga fëmijët që ndezin qirinj në konviktet e tyre.
Një raport i policisë në mars të këtij viti tregonte se në një periudhë tre mujore kishte pasur të paktën 18 incidente me zjarr në shkolla.