Zyra e Regjistrimit të Pasurive, shpallet “kampion kombëtar i korrupsionit” fabrika shtetërore e rryshfetit dhe humbjes së dosjeve
Nëse ka një institucion që mund të konsiderohet “kampion kombëtar” i korrupsionit në Shqipëri, ai është pa diskutim Zyra e Regjistrimit të Pasurive. Me një sistem që funksionon më shumë si një agjenci private për përfitime personale sesa si një institucion publik, kjo zyrë është kthyer në sinonim të zvarritjeve të qëllimshme, ryshfetit të heshtur dhe shantazhit të hapur ndaj qytetarëve.
Në vend që të ofrojë siguri ligjore për pronën dhe transparencë në shërbime, Zyra e Regjistrimit operon si një skemë klasike korruptive: për të marrë një dokument, një dosje apo një informacion minimal, qytetari duhet të “kuptojë rregullat e lojës” – pra të paguajë. Pa para nën dorë, dosja jote rrezikon të humbasë në mënyrë misterioze, të kalojë në “verifikim të thelluar” ose të harrohet për muaj të tërë në ndonjë sirtar.
Shërbimi nuk jepet, pa “bakshish”. Ligji nuk zbatohet, pa “shtysë”. Dosja nuk gjendet, përveç nëse i “kujton” dikujt me ndonjë kartmonedhë të qartë. Kjo nuk është më thjesht mungesë etike – është një sistem i institucionalizuar korrupsioni, i toleruar dhe i mbrojtur nga vetë ata që duhet ta çrrënjosnin.
Qytetarët që kërkojnë shërbime legjitime hasen me një administratë që e ka për profesion vonesën, me punonjës që flasin me gjuhën e nënkuptimeve dhe që “këshillojnë” rrugë të shkurtra vetëm për ata që paguajnë. Ata që guxojnë të ankohen, kërcënohen me zvarritje të pafundme ose ndjekje burokratike absurde.
Në këtë klimë abuzimi, shumë pasuri përfundojnë të regjistruara në emra të tjerë, shiten padrejtësisht apo kthehen në pre të mafies së pronave, e cila ka lidhje të ngushta me segmente brenda vetë këtij institucioni. Reforma mbetet thjesht një fjalë e zbrazët nëpër konferenca ndërkombëtare, ndërsa në terren korrupsioni lulëzon si model pune.
Zyra e Regjistrimit të Pasurive nuk është më një institucion ,është një strukturë që prodhon pasiguri, abuzim dhe padrejtësi. Për ta reformuar nuk mjaftojnë deklarata politike apo rotacione drejtuesish. Duhet ndërhyrje rrënjësore, hetime të thelluara dhe ndëshkime reale për të gjithë ata që kanë ndërtuar një perandori personale mbi fatin e pronës së qytetarëve.
Derisa kjo të ndodhë, çdo qytetar që shkon për të marrë një shërbim aty duhet të dijë një gjë: pa para, nuk ka dokument. Pa ryshfet, nuk ka pronë. Pa “të njohur”, nuk ka drejtësi.