Zyrtarët e lartë amerikanë dëshmojnë për objektet fluturuese të pashpjegueshme

Dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes amerikane kanë dëshmuar në Kongres për pamjet e disa objekteve fluturuese të pashpjegueshme.

Departamenti i Mbrojtjes i quan këto objekte “fenomene ajorore të paidentifikuara” ndryshe UAP ose objekte fluturuese të paidentifikuara, UFO

Seanca dëgjimore e Dhomës së përfaqësuesve erdhi pas publikimit të një raporti nga qeveria mbi më shumë se 140 raste të UAP-ve të vëzhguara nga pilotët ushtarakë amerikanë që nga 2004.

Zëvendës drejtori i inteligjencës detare Scott Bray tha gjithashtu se nga një grup i departamentit të mbrojtjes janë raportuar mbi 400 raste.

Të pyetur nëse këto objekte mund të jenë me origjinë jashtëtokësore, një prej tyre dëshmon se nuk ka ende materiale që dëshmojnë për origjininë “jo tokësore” megjithatë nuk përjashtohet si mundësi.

Nënsekretari i Departamentit të Mbrojtjes për inteligjencën dhe sigurinë Ronald Moultrie, deklaroi se çdo rast i këtyre raportimeve do të hetohen pasi vënë në rrezik sigurinë e fluturimeve ajrore dhe sigurinë e përgjithshme në vend.

Në seancë u shfaqën dy video në të cilat duken dy objekte fluturuese vezulluese, njëri në formë rrethore dhe tjetri në formë trekëndëshi që flututronin në qiell. Zëvendës drejtori Bray tha se shpjegimi i tyre është ende i paqartë.

Gjatë vitit të kaluar, në rastet e raportuara u panë objekte fluturuese me shpejtësi lëvizjeje që nuk ekzistojnë në teknologjinë ekzistuese të fluturimit. Ata nuk kishin as sistemet tradicionale të shtytjes dhe kontrollit të fluturimit.

Sipas raportit nevojiten ende shumë të dhëna dhe ekzaminime për identifikimin e këtyre objekteve që mund të jenë dhe sisteme të reja që po zhvillohen nga Rusia apo Kina