“2 milionë euro për zhdukjen e Ervis Martinajt/SPAK duhet të flasë, kush është biznesmeni?”

“2 milionë euro për zhdukjen e Ervis Martinajt/SPAK duhet të flasë, kush është biznesmeni?”

Përgjimet e dekriptuara të platformës së komunikimit të krimit, SKY ECC, po zbulojnë gjithnjë e më shumë prapaskenat e botës së errët të mafies shqiptare. Një nga zbulimet më tronditëse të këtyre ditëve lidhet me zhdukjen misterioze të Ervis Martinajt, figurës më të njohur të krimit të organizuar dhe ish-perandorit të lojërave të fatit në vend.

Sipas informacioneve të filtruar nga strukturat e drejtësisë ndërkombëtare, në mesazhet e përgjuara del se një biznesmen shqiptar ka paguar 2 milionë euro për ekzekutimin dhe zhdukjen e Martinajt. Komunikimet flasin për një marrëveshje të strukturuar mafioze, me pagesë të majme dhe mbulim total të gjurmëve.

Ervis Martinaj rezulton ende i zhdukur që nga gushti 2022. Asnjë trup, asnjë provë, asnjë përgjigje nga shteti. Zyrtarisht “i zhdukur”, praktikisht një ekzekutim i sofistikuar që është mbajtur larg çdo investigimi serioz brenda Shqipërisë.

Në një kohë kur drejtësia shqiptare pretendon reformë dhe luftë ndaj krimit të organizuar, heshtja e SPAK është bërë më e zhurmshme se çdo deklaratë zyrtare. Informacioni ekziston. Përgjimet janë të qarta dhe në dorë të prokurorëve. Për këto arsye, është koha që SPAK të bëjë publike të vërtetën: Kush është biznesmeni që ka porositur me 2 milionë euro zhdukjen e Martinajt?

Nëse Prokuroria e Posaçme nuk flet, ajo bëhet palë me heshtjen. Nëse nuk vepron, ajo dëmton jo vetëm besimin e qytetarëve, por e konfirmon lidhjen e shtetit me krimin që sot duket më i organizuar se kurrë.

Publiku ka të drejtë ta dijë, kush është njeriu me pushtet ekonomik që paguan për vrasje si të ishte kontratë biznesi? Kush e mbron atë? Dhe sa të tjerë janë në radhë për t’u zhdukur në këtë mënyrë, pa lënë asnjë gjurmë?

SPAK nuk ka më kohë për të pritur. O do të flasë, o do të heshtë përballë historisë si shumë institucione të tjera që lanë gjurmët në baltë për të mos prekur të fortët.