Procesi i vetingut në Shqipëri, i promovuar si mekanizmi kyç për pastrimin e drejtësisë nga korrupsioni dhe ndikimet e jashtme, është njollosur jo vetëm nga skandale të brendshme, por edhe nga skandale që vijnë nga ata që duhej të ishin garantët e integritetit: vëzhguesit ndërkombëtarë.
Një prej tyre, Hans Kilstrija, një emër që u prezantua si figurë e paanshme dhe me integritet të lartë etik, u largua në heshtje dhe me turp nga procesi i vetingut, jo për shkak të presioneve politike apo ndikimeve të tjera, por për arsye shumë më personale dhe të papritura: një aferë seksuale me një sekretare shqiptare brenda strukturave të vetingut.
Sipas burimeve të shumta nga brenda sistemit dhe kontakte diplomatike të nivelit të dytë, largimi i Kilstrijës nuk ka qenë vullnetar apo përfundim i mandatit, por një tërheqje e detyruar pas zbulimit të marrëdhënieve të papërshtatshme në ambientet e punës. Afera, e njohur për një rreth të gjerë zyrtarësh dhe e përfolur në korridoret e institucioneve të drejtësisë, u mbyll pa asnjë shpjegim zyrtar – as nga autoritetet shqiptare, dhe as nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që e kishin emëruar.
Ai u largua pa dhënë llogari, pa sqaruar publikisht as veprimet e tij, as pasojat e mundshme etike apo ligjore për strukturën ku ai vepronte. Më shumë se një vëzhgues, Hans Kilstrija u kthye në një element destabilizues, që cënoi besueshmërinë e një prej proceseve më të ndjeshme në historinë e reformës në drejtësi.
Për një vend si Shqipëria, ku çdo marrëdhënie me ndërkombëtarët analizohet me lupë dhe shpesh përdoret si garanci morale, ky rast shënon një nga momentet më të turpshme të ndërhyrjes së jashtme ku “misioni” u përzje me skandale personale dhe ku etika u hodh në kosh bashkë me integritetin profesional.
A do të dalë ndonjëherë ndonjë raport? A do të marrë ndonjë përgjigje opinioni publik për këtë skandal të mbuluar me heshtje? Apo rasti do të zhyten në arkivat e harresës, si shumë të tjera që kanë plagosur besimin e shqiptarëve në reformën në drejtësi?