206 ditë ndalesë, mesfushori i Milanit shpjegon emocionet: Rikthim i magjishëm, gati sa nuk qava prej tifozëve

Dëmtimi në gjysmëfinalen e parë të Champions-it ndaj Interit e privoi nga fundi i sezonit të kaluar dhe nga fillimi i këtij aktual. Ismael Benaser, më në fund provoi emocionet e një ndeshjeje 206 ditë nga hera e fundit, teksa në intervistën e dhënë pas ndeshjes foli si të mos kishte munguar kurrë.

Si është rikthimi në fushë ?

Ka qenë një periudhë e gjatë dhe e vështirë gjatë së cilës kam punuar shumë për të qenë gati për ndeshje. Kam sakrifikuar shumë, por nuk jam rikthyer para kohe. Kam respektuar afatet që mjekët më patën parashikuar pas operacionit.

Tifozët ju pritën shumë mirë…

Eh ta dinë ata sa shumë më kanë munguar. Emocioni ishte shumë i madh kur brohoritën emrin tim. Jam krenar që jam pjesë e kësaj tifozërie dhe që i kemi pranë. Kam mësuar shumë në këta muaj jashtë, megjithatë e keqja ka kaluar e jam i lumtur që u riktheva.

Si ju duken kolegët e rinj Çik, Reijnders e Musah?

Ata janë lojtarë shumë të fortë, nuk kam luajtur ende me ta, por vetëm jam stërvitur. Besoj se do të bëjmë mirë, ndërkohë që edhe ata po bëjnë shumë mirë sepse dukshëm kanë shtuar diçka më shumë në ekip. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar.

A do të shkoni në Kupën e Afrikës?

Dua të gjej sërish ritmin, pastaj të shohim nëse jam gati. Do të flas edhe me trajnerin e kombëtares, po vij nga një dëmtim i rëndë. Nëse nuk jam gati, është më mirë të grumbullohet një lojtar që është formë të mirë.

Pas ndeshjes jeni parë me Ibrën. Ju tha gjë për rikthimin?

Jo, por nëse ndodh do të ishim shumë të lumtur. Çfarëdo që të bëjë ne do të vazhdojmë të punojmë fort dhe të qëndrojmë të përqendruar.

Sa shanse për titull ka ky Milan?

Kur e ke fituar një trofe kërkon ta fitosh përsëri. Kur luan te Milani duhet ta kesh këtë lloj mendësie dhe ne e dimë që përpara shkohet vetëm me fitore. Nuk e di sa shanse kemi, por mund të them se do të mundohemi të japim më të mirën që të gjithë.