Të paktën 40 vete në Teksas vdiqën kur stuhia e dimrit përfshiu shtetet e jugut amerikan në mes të shkurtit. Ky shtet u godit më shumë nga temperaturat e ulëta të pazakonta që shkaktuan ndërprerje energjie dhe bënë që tubat e ujit të ngrinin dhe të shpërthenin, duke përmbytur shtëpitë dhe duke lënë shumë njerëz pa nxehtësi dhe ujë të pijshëm.
Presidenti dhe Zonja e Parë, Jill Biden, mbërritën me avion në Hjuston, qyteti më i madh i Teksasit, ku u pritën nga guvernatori republikan Greg Abbot dhe kryebashkiaku i Hjustonit Sylvester Turner. Biden vizitoi një depo ushqimesh në qytet dhe një qendër operacionale për emergjencat.
Ndërsa Presidenti demokrat takohej me udhëheqësit lokalë dhe vullnetarët për të diskutuar përpjekjet e ndihmës dhe rimëkëmbjes, ai shoqërohej nga guvernatori republikan, i cili fillimisht nuk e njohu fitoren e zotit Biden në nëntor ndaj Donald Trump-it. Biden ka shpallur gjendjen e katastrofës në 108 nga 254 qarqet e këtij shteti dhe sinjalizoi se mund ta rrisë numrin e tyre. Deklarimi autorizon përdorimin e fondeve për strehim të përkohshëm, riparime shtëpish dhe kredi me interes të ulët për humbjet e pronave të pasiguruara.