Qytetarët shqiptarë do të duhet të paguajnë rreth 450 milionë euro për ndërtimin me koncension të aksit rrugor “Thumanë-Kashar”, pasi Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dështoi para gjykatës të mbronte vendimin e saj për anulimin e kontratës së fituar më herët nga kompania “Gener 2” e Bashkim Ulaj.
Një ndër vendimet e para të ndërmarra nga Balluku kur mori detyrën e Ministres së Infrastrukturës në janar 2019 ishte anulimi i koncensionit më të madh në vend, që parashikonte ndërtimin e afro 21 kilometrave autostradë për një kosto që mund të shkonte deri në 54 miliardë lekë.
Por, tashmë që pritet të marrë mandatin e rikonfirmimit në detyrë, një prej akteve të saj të para është dërgimi në Këshillin e Ministrave të kërkesës për miratimin e kontratën koncensionare me kompaninë në pronësi të Bashkim Ulaj.
Gjykata Administrative e Apelit, në një vendim të dhënë në 29 Korrik 2021, pranoi kërkesën e kompanisë që kërkonte shfuqizimin e anulimit të koncensionit.
Trupa gjykuese e Apelit shfuqizoi një vendim të gjykatës administrative të shkallës së parë dhe vendosi detyrimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të përcjellë në mbledhjen e qeverisë kontratën për miratim.
Në foto: Dispozitivi i vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit
Anulimi i nxituar
Kompania “Gener 2” fitoi koncesionin në vitin 2018, pasi mori paraprakisht një bonus nga qeveria “Rama” për “propozim të pakërkuar”.
Sipas dokumenteve të tenderit të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila në atë kohë drejtohej nga Damian Gjiknuri,, kosto e ndërtimit ishte përllogaritur në 226 milionë euro.
Por, një raport i Ministrisë së Financave për këtë projekt, i dërguar në Parlament, parashikonte që kostot e ndërtimit të aksit “Thumanë-Kashar” ishin në total 54.4 miliardë lekë të reja, ose rreth 435 milionë euro.
Në tender morën pjesë 4 operatorë ekonomikë, dhe fituese u shpall “Gener 2”, e cila ishte më e favorizuar për shkak të “propozimit të pakërkuar”.
Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe Gener 2 hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të përfundonin me nënshkrimin e kontratës finale.
Por, negociatat nuk arritën të mbylleshin. Qeveria vendosi të tërhiqej nga komunikimi me “Gener 2”, sidomos pas shpërthimit të skandalit me kompaninë fantazëm “DH-Albania”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e Unazës së Re në Tiranë.
Të dhëna të publikuara në media ngritën dyshime se pas “DH-Albania” qëndronte pikërisht kompania “Gener 2” e Bashkim Ulaj.
Në një klimë të nxehtë politike pas skandalit me “DH-Albania”, Belinda Balluku mori vendim të shpejtë për të anuluar edhe koncensionin “Thumanë-Kashar” të fituar nga Bashkim Ulaj dhe kompania e tij.
Në foto: Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke njoftuar anulimin e koncensionit të rrugës “Thumanë-Kashar” në 21 janar 2019
Por, ky veprim i nxituar dhe i pa-llogaritur si duhet, i ndërmarrë nga Balluku, duket se i dha të gjitha mundësitë kompanisë private që të fitonte në gjykatë.