Qeveria i kërkon qytetarëve të kursejnë karburant duke mos përdorur mjetet e tyre, por vetë po bën të kundërtën.
Lufta në Ukrainë ka sjellë pasoja edhe në Shqipëri, me rritjen e çmimeve të karburantit dhe të produkteve të tjera për qytetarët, por kjo krizë duket se nuk ka prekur qeverinë.
Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Brendshme ka hapur gjatë kësaj jave një procedurë për blerje karburantesh me një fond limit prej 1.7 miliard lekë ose 14 milionë euro.
Tenderi është ndarë në 5 lote dhe afati për të cilin është parashikuar furnizimi me karburant varion nga 2 deri në 4 vite. Në fakt kohëzgjatja duket e çuditshme kur çmimi aktual ka prekur kulmin për shkak të luftës në Ukrainë.
Referuar dokumenteve, loti i parë parashikon furnizimin me karburant të Drejtorisë së Policisë së Shtetit për 4 vite me një fond prej 1.2 miliard lekësh e më tej furnizimi I Policisë për 3 vite kundrejt 462 milionë lekëve.
Loti i tretë parashikon furnizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Inspektoratit të Punës, Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Shkodër dhe Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Dibër për 2 vite me 29.8 milionë lekë.
Dhe dy lotet e tjera kanë në objekt mbulimin me karburant të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Infrastrukturës e Energjisë për 2 vite me një fond limit 6 milionë lekë.
Në lidhje me specifikimet teknike që duhet të plotësojnë operatorët kërkohen të dhëna për xhiron e 3 viteve të fundit, e cila duhet të jetë jo më e vogël se 40% e vlerës së fondit limit.
Gjithashtu përcaktohet që subjektet duhet të kenë marrë pjesë në procedura të ngjashme dhe të kenë të paktën 7 stacione të tregtimit me pakicë të karburanteve në Bashkinë Tiranë dhe në bashkitë e tjera të vendit.
Në një njoftim të APP autoriteteve kontraktore u është bërë me dije që për procedurat që zhvillojnë duhet të marrin parasysh çmimet e fiksuara nga Bordi, të cilat janë të publikuara në faqen e tyre. Por duket se nuk është marrë parasysh fakti se bordi është i përkohshëm.
Në 31 mars Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tender 14 milionë euro për blerjen e karburantit. Tenderi është i ndarë në pesë lote. Afati i kontratës është për tre dhe katër vite në varësi të lëndës djegëse.
Por këtë periudhë nuk është vetëm Agjencia e Blerjeve të Përqendruara që ka hapur procedura të tilla. Disa bashki dhe institucione në vend javën e fundit kanë hapur tenderët për të blerë rreth 1 milion euro karburant.
Këta tenderë kryhen në një kohë kur çmimi i naftës është në nivelet e tij më të larta, ndërsa ekspertët parashikojnë që çmimi në bursë i naftës të bjerë.
Rreth dy muaj më parë Agjencia e Blerjeve të Përqendruara hapi një tjetër tender me vlerë 5 milionë euro për blerje karburanti.
Llogaritet që administrata shtetërore në Shqipëri të harxhojë rreth 35 milionë euro në vit vetëm për karburant.