Një fitore me shije disfate: Macron humb shumicën absolute

Një fitore me shije disfate: Aleanca e Presidentit Emmanuel Macron është një fitues i sigurt i raundit të dytë dhe të fundit të zgjedhjeve legjislative, por rezultati është larg shumicës absolute përballë përparimit të fortë edhe të së majtës së bashkuar si dhe ekstremit të djathtë.

Aleanca e Emmanuel Macron ka humbur shumicën e saj absolute në Asamblenë Kombëtare të Francës, vetëm dy muaj pasi ai u rizgjodh si president.

Në fund të raundit të dytë të zgjedhjeve të dielën, kandidatët e Macron fituan 245 vende, përpara koalicionit të krahut të majtë Nouvelle Union Populaire Ecologique et Sociale (NUPES) me 141 vende dhe Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë që bëri një përparim historik duke fituar 89 vende në parlament/

Kryeministrja Elisabeth Borne tha se situata “e paprecedentë” “është një rrezik për vendin e përballur me sfida në nivel kombëtar dhe ndërkombëtare”. Borne, e cila u emërua vetëm në maj, do të përballet me një “mocion censure” nga opozita në fillim të korrikut dhe posti i saj nuk është e sigurt pasi ka arritur një fitore të ngushtë në zonën e saj elektorale.

Emmanuel Macron tani përballet me realitetet e një Asambleje Kombëtare me dy grupe armiqësore të opozitës, ndërsa ai përpiqet të kryejë reforma të rëndësishme – përfshirë pensionet, uljen e taksave dhe rritjen e moshës së pensionit – dhe atij do t’i duhet një partner koalicioni për ta realizuar atë.

“Do të duhet të tregojmë shumë imagjinatë” për të qeverisur, pranoi ministri i Ekonomisë Bruno Le Maire.

Reagimi i opozitës

Politikani veteran i krahut të majtë Jean-Luc Mélenchon ndërtoi një aleancë të partive socialiste dhe të gjelbra për të sfiduar Macron dhe përpjekjet e tij duket se kanë dhënë rezultat.

Duke iu drejtuar qindra mbështetësve të dielën mbrëma në Paris, ai tha: “Shpresoj që të jeni të përfshirë në këtë. Papritur, a ndjetë në majat e gishtave një ndjesi shpimi gjilpërash? Kjo është se historia po ecën,” tha ai. Turmat u përgjigjën me thirrje të forta.

Dyqind kilometra larg Parisit, Marine Le Pen po festonte.  Kur u bë e qartë se kishte arritur 90 vende në Asamblenë Kombëtare, nga vetëm tetë vende më parë, mbështetësit e saj brohoritën “Vive Marine” dhe “Macron jep dorëheqjen”.

Partia e Le Pen shkon nga e 6-ta, në forcë e tretë me rezultat të paprecedentë

Një nga goditjet më të mëdha të raundit përfundimtar të zgjedhjeve ishin 89 vendet e fituara nga Rassemblement national.

Zgjedhjet e raundit të parë të dielën e kaluar i dhanë partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen – e rizgjedhur me lehtësi në bastionin e saj verior Hénin-Beaumont me rreth 61% të votave, një maksimum prej 45 vendesh.

Megjithatë, Le Pen – e cila humbi balotazhin presidencial të prillit nga Macron – arriti të përfitonte nga dueli shumë i fortë midis Ensemble dhe të majtës, duke korrur një fitore të paparashikueshme.

Ndryshe nga Ensemble dhe NUPES, ajo do të jetë gjithashtu në krye të partisë më të madhe në parlament me shumë njerëz që besojnë se Le Pen tani do të kthehet për ta përdorur parlamentin si platformën e saj kryesore për veprim politik.