Një gjykatë në Honduras ka dënuar shefin e një kompanie energjitike me më shumë se 22 vjet burg për vrasjen e një aktivisteje të mjedisit në vitin 2016. Berta Cáceres udhëhoqi protestat kundër projektit të digës hidroelektrike Agua Zarca përpara se të qëllohej për vdekje në shtëpinë e saj.
Gjykata vendosi se Roberto David Castillo, kompania e të cilit kishte fituar kontratën, kishte planifikuar vrasjen dhe kishte punësuar personat e armatosur. Shtatë të tjerë gjithashtu janë dënuar për rolin e tyre në vrasje.
Castillo është ish-Presidenti i kompanisë energjetike të Hondurasit, Desa, dhe dikur ishte një oficer i shërbimeve sekrete së ushtrisë.
Gjykata zbuloi se ai përdori kontaktet e tij ushtarake dhe pagoi informatorë për të koordinuar dhe planifikuar vrasjen e aktivistes së profilit të lartë, e cila u nderua me çmimin prestigjioz Goldman në 2015 për rolin e saj në ndalimin e ndërtimit të digës.
Zonja Cáceres ishte përballur me vite të tëra me kërcënime për kundërshtimin që i bënte projektit të digës që drejtohej nga kompania e Castillo.
Diga rrezikonte të përmbytte zona të mëdha toke dhe të ndërpriste furnizimin me ujë, ushqim dhe ilaçe për qindra banorë indigjenë Lenca në Hondurasin perëndimor.
Roberto David Castillo
Përveç paraqitjes së ankesave zyrtare, znj.Cáceres organizoi një bllokim rrugor që pengoi punëtorët e ndërtimit të arrinin në vend.
Kompania shtetërore kineze Sinohydro, e cila po e zhvillonte bashkërisht projektin, përfundimisht u tërhoq për shkak të rezistencës së komunitetit.
Në vitin 2018, shtatë të tjerë, përfshirë një tjetër ekzekutiv të Desa-s, u dënuan me 30 deri në 50 vjet për rolin e tyre në vrasjen e znj. Cáceres.
Këshilli i Organizatave Popullore dhe Indigjene të Hondurasit (COPINH) përshëndeti dënimin e Castillo dhe bëri thirrje për më shumë hetime ndaj njerëzve të lidhur me Desa.
Por vajza e Cáceres, Olivia Zuniga Cáceres, shkroi në Twitter se ishte “e indinjuar” sepse Castillo “nuk kishte marrë dënimin maksimal”.
Një nga avokatët mbrojtës të Castillo i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ekipi i saj planifikoi të apelonte dënimin.