Helikopteri rus shkel hapësirën ajrore të Estonisë

Estonia, një anëtare e NATO-s, tha se një helikopter i rojeve kufitare ruse shkeli hapësirën ajrore të saj këtë fundjavë dhe se ishte ftuar ambasadori rus, të cilit iu dorëzua një notë për shkak të atij incidenti.

Ushtria estoneze njoftoi se të shtunën në mbrëmje, një helikopter rus MI-8 ka hyrë pa leje në hapësirën ajrore në juglindje të Estonisë në zonën Koidula, jo shumë larg qytetit rus të Pskov.

Helikopteri ishte në hapësirën ajrore të Estonisë për gati dy minuta, deklaroi ushtria estoneze, duke shtuar se avioni nuk kishte një plan fluturimi, se transponderi i tij ishte i fikur dhe se nuk mbante kontakte me shërbimet e navigimit ajror estonez.

Ndërhyrja e supozuar është shkelja e dytë e hapësirës ajrore të Estonisë këtë vit.

Vitin e kaluar, avionët rusë, ushtarakë dhe civilë, shkelën hapësirën ajrore të Estonisë pesë herë, tha ushtria.

Ambasadori i Rusisë në Danimarkë u thirr të premten në Ministrinë daneze të Punëve të Përbashkëta, kur një anije ushtarake ruse shkeli ujërat territoriale të vendit pranë ishullit Bornholm në Detin Baltik.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur një numër i madh deputetësh danezë ndodheshin në ishull për mbledhjen vjetore të politikanëve dhe lobistëve.