Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve të krijuara në Kuvend dhe debatin me deputetët e PD-së, Edi Palokën dhe Bujar Leskajn.
Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë tha se seanca u mbyll me dy të dehur nga “Foltorja” të cilët shanë me libër shtëpie në emër të popullit.
Rama ka kritikuar qëndrimet e opozitës në seancën maratonë që zgjati dy ditë ku u diskutua buxheti 2023.
Kryeministri tha se në 28 orë diskutime, asnjë nga partitë opozitare nuk pranuan që ka luftë në Ukranë dhe asnjë nuk foli për lidhjen e këtij konflikti me krizën e çmimit të energjisë dhe inflacionit.
Kryeministri Edi Rama në Twitter:
Pas 28 orësh seancë diskutimesh për #Buxhetin2023 as PD, as PF dhe as PL(Partia e Lekut) nuk pranuan që ka luftë, nuk folën për asnjë lidhje mes luftës së Putinit, krizës së çmimit të energjisë dhe inflacionit të luftës, nuk thanë asnjë llaf për 1/2milionë USD të marra nga rusët!
Seanca u mbyll me dy të dehur nga rruga e Foltores që shanë me libër shtëpie në emër të popullit dhe mbetën pa bërtitur “Shqipëria në Rrezik!” se harruan tekstin prej alkoolit! 3 parti bedelësh pa atdhe, pa din e as iman, me dy të shitur në ballë e dyzet të shkalafitur vërdallë!
Menjëherë pas këtij incidenti në Kuvend, reaguan edhe deputetët e PD-së. Bujar Leskaj në një prononcim për News24 tha se edhe kryeministri Edi Rama duhej të ishte përjashtuar nga seanca për konsumimin e lëndëve narkotike.
Ndërsa Edi Paloka, përmes një postimi në Facebook e ka konsideruar një lajm të rremë pretendimin e Ramës se dy deputetët ishin të dehur. Ai thotë se Rama duhet të bëjë testin e drogës pasi në çdo seancë parlamentare konsumon kokainë.