Zgjedhjet vendore/ Belind Këlliçi takim me qytetarët në Tiranë: Taksat e larta shqetësim për banorët! S’ka hapësira publike

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi vijon takimet me banorët e kryeqytetit teksa na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet vendore. Sot ai u ndal në Njësinë nr. 10 duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve të zonës.

Sipas njoftimit të nisur nga PD, problematikat kryesore ishin taksat e larta për bizneset në zonë.

“Mbledhja e këshillit bashkiak i pari duhet të jetë dhe ulje taksash“, tha një tregtar.

Ndërsa përsa i përket zënies së hapësirës publike, qytetarët janë të shqetësuar pasi rrugët dhe dyert e bizneseve janë të zëna nga skela ndërtimi.

Një prej tregtarëve i cili i pyetur nga kandidati i PD për Tiranën Këlliçi, tha se ka tentuar ta mbyllë disa herë aktivitetin e tij për shkak të borxheve të banorëve.

Mungesa e hapësirave publike dhe në veçanti parkimi, ishte një nga shqetësimet e vazhdueshme që banorët e zonës i shprehën kandidatit Belind Këlliçi.

“Na duhen parqe për fëmijët sepse shkojmë përditë nga liqeni duke kërkuar parking“, tha një qytetar.

“Nga ana tjetër e shef atë tjetrin në televizor: Po bëj parqe, po bëj lojra“, ironizoi një tjetër banor.