Operacioni i sotëm i Prokurorisë, me kontrolle të njëkohshme në plot 14 vende të ndryshme, vuri në lëvizje qindra forca policie dhe specialistë për të hetuar një nga skandalet më të mëdha të abuzimit me fondet publike dhe mjedisin në Shqipëri, aferën “ECO ALB”, një skemë që përflitet prej kohësh si simboli i korrupsionit “të gjelbër”.
Nga kontrolli u sekuestruan sende të paligjshme, dokumente, kompjuterë dhe prova që dëshmojnë sesi kontratat për grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve janë kthyer në një lavatriçe të fondeve publike.
Disa persona u arrestuan menjëherë. Po kush janë? Punonjës, shoferë, zyrtarë të rangut të mesëm, pra të zakonshmit që përfundojnë si mish për top për të ruajtur fasadën e drejtësisë.
Ndërkohë, një nga emrat më të përfolur në këtë aferë, Lelj Kaja, rezulton në kërkim. Jo nga ato kërkime që të lënë pa gjumë, por nga ato tipike shqiptare: kërkohet pak në mëngjes, ndoshta një herë në javë, dhe më pas “harrohet” mes dosjeve.
Por Kaja është vetëm maja e një piramide që mbështetet mbi një emër shumë më të rëndë, Gledis Llatja, kryetari i Bashkisë Elbasan, njeriu që sipas informacioneve jozyrtare, por të besueshme, është truri dhe përfituesi politik e financiar kryesor i skemës ECO ALB. Në çdo dokument, kontratë apo veprim, shfaqet hija e pushtetit të tij.
Por ku është Gledis Llatja sot?A është në një zyrë duke firmosur ndonjë tender të ri të mbetjeve? A po ndan çertifikata për “përmirësimin e cilësisë së ajrit” në qytet?
Apo ndoshta është duke dalë në ndonjë emision televiziv për të folur për “vlerat e transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”?
Pikërisht këtu nis ironia e madhe.Ndërsa qytetarët shohin se si arrestohen punonjësit që zbatonin urdhrat, kryetari i bashkisë që firmoste, ndante, mbikëqyrte dhe përfitonte, vazhdon i qetë, i buzëqeshur dhe i paprekur.
Drejtësia shqiptare, për fat të keq, vazhdon të mbajë sytë mbyllur ndaj njerëzve me pushtet real dhe të hapë dyert e burgut për të vegjlit.
Në çdo vend normal një zyrtar i nivelit të lartë që përflitet në një aferë me përmasa të tilla, do të ishte nën hetim, i pezulluar dhe i përballur me drejtësinë.
Por në Shqipëri, Llatja është ende në pushtet, me protokoll, shofer, bodyguard dhe fjalime për “zhvillimin e qëndrueshëm”.
Pyetja që nuk merr përgjigje. Ku është hetimi për Gledis Llatjën?A është në ndonjë sirtar?Apo ndoshta në ndonjë dosje që pret të vjetrohet?
Afera “ECO ALB” nuk është thjesht një histori me plehra.Është një histori ku plehrat nuk janë vetëm në kazanët e mbeturinave, por edhe në dosjet që duhen hetuar.
Dhe sa kohë që drejtësia zgjedh të bëjë shurdhin ndaj emrave të mëdhenj, Shqipëria do të vazhdojë të lajë duart me plehra, por të mos pastrohet kurrë.