Saranda nuk po përballet më me një problem administrativ të zakonshëm. Saranda po përballet me një model të përsëritur kapjeje institucionale, ku Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, institucioni që duhej të mbronte qytetin nga ndërtimet pa leje, dyshohet se është kthyer në mekanizmin kryesor të lejimit, mbulimit dhe favorizimit të paligjshmërisë.
Në tre vitet e fundit, në krye ose brenda IMT Sarandë janë shfaqur tre faza të rënda dyshimesh. Faza e Nasip Hoxhës, faza e Eduart Veliut dhe faza aktuale e Fatjon Veliut. Tre periudha, tre emra, por një model i vetëm, ndërtimet pa leje, mosveprim, korrupsion favorizimi i të fortëve dhe mungesa e përgjegjësisë reale.
Faza e parë, Nasip Hoxha dhe IMT-ja e kthyer në simbol abuzimi dhe korrupsioni.
Emri i parë që rëndon mbi historinë e IMT Sarandë është Nasip Hoxha. Në periudhën e drejtimit të tij, IMT Sarandë u kthye në objekt denoncimesh të shumta publike dhe akuzash për mosveprim ndaj ndërtimeve pa leje, tolerim të paligjshmërisë dhe përdorim të institucionit si mjet favorizimi.
Në vend që IMT të ndalonte ndërtimet pa leje, sipas denoncimeve publike, në Sarandë ndërtimet vijonin, objektet rriteshin, vendimet e prishjes mbeteshin në letër, ndërsa qyteti betonizohej para syve të institucioneve. Ky nuk ishte më thjesht dështim administrativ. Ky ishte momenti kur IMT Sarandë dyshohet se u kthye në një strukturë që nuk mbronte territorin, por mbronte interesat që ndërtonin mbi territorin.
Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit më pas evidentuan problematika serioze në Bashkinë Sarandë dhe në funksionimin e strukturave që kishin detyrë kontrollin e territorit. Pas këtyre konstatimeve, struktura e IMT-së u trondit dhe drejtimi i mëparshëm u largua. Por pyetja që mbeti pa përgjigje ishte, pse askush nuk shkoi deri në fund me përgjegjësinë penale të atyre që lejuan këtë situatë?
A u hetua realisht Nasip Hoxha për të gjithë periudhën e drejtimit të IMT-së?
A u verifikuan të gjitha vendimet e prishjes që nuk u ekzekutuan?
A u kontrolluan gjobat e vendosura dhe të paarkëtuara?
A u hetuan lidhjet mes zyrtarëve të IMT-së, ndërtuesve dhe drejtuesve politikë të Bashkisë Sarandë?
Apo grupi i parë i dyshuar në IMT Sarandë shpëtoi pa u prekur deri në fund?
Faza e dytë: Eduart Veliu dhe goditja penale ndaj IMT-së.
Pas Nasip Hoxhës, në krye të IMT Sarandë u vendos Eduart Veliu. Por në vend që institucioni të pastrohej, skandali u thellua. Hetimet e Prokurorisë së Sarandës për ndërtimet pa leje sollën masa sigurie ndaj zyrtarëve të IMT-së, në skenë emra konkretë, Eduart Veliu, kryeinspektor i IMT Sarandë; dhe 10 inspektorë të IMT-së.
Nëse IMT kishte detyrë të ndalonte ndërtimet pa leje, si ndodhi që pikërisht zyrtarë të IMT-së përfunduan në qendër të hetimit?
Kush i njoftonte ndërtuesit?
Kush nuk i konstatonte objektet?
Kush i mbante dosjet pa veprim?
Kush firmoste procesverbalet?
Kush i linte vendimet e prishjes pa ekzekutim?
Kush e garantonte ndërtimin deri në përfundim?
Këto janë pyetje që Prokuroria nuk mund t’i kufizojë vetëm te disa inspektorë. Sepse kur në hetim përfshihen IMT, polici dhe ndërtues, atëherë nuk flitet për shkelje të veçuara. Flitet për dyshim për grup të organizuar rreth paligjshmërisë ndërtimore.
Faza e tretë, Fatjon Veliu dhe pyetja që rëndon mbi Bashkinë Sarandë i cili është djali i xhaxhait të Eduart Veliut i emruar po nga ky i fundit si inspektor pranë IMT Sarandë.
Pas goditjes së grupit të Eduart Veliut, qytetarët prisnin që IMT Sarandë të pastrohej, të bllokohej çdo akses mbi dokumentacionin e dyshuar dhe të vendosej një administrim i pavarur deri në përfundim të hetimeve.Por ndodhi e kundërta. Në krye të IMT-së doli Fatjon Veliu.
Kjo është pika më e rëndë e historisë.
Sipas denoncimeve publike, Fatjon Veliu nuk është figurë e shkëputur nga struktura e mëparshme, por person që ka qenë pjesë e rrethit administrativ të IMT-së. Për këtë arsye, emërimi i tij në krye të institucionit nuk mund të trajtohet si veprim normal administrativ. Ai duhet të trajtohet si pistë hetimore.
Pse pas Nasip Hoxhës dhe Eduart Veliut, në krye të IMT-së vendoset sërish një person i lidhur me të njëjtën strukturë dhe pikërisht i afërmi i Eduart Veliut?
Pse Fatjon Veliu mbeti jashtë valës së përgjegjësisë, ndërkohë që struktura ku ai dyshohet se ka qenë pjesë u godit nga hetimi penal?
A është Fatjon Veliu i mbrojtur politikisht?
A gëzon ai mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Sarandë?
A është vendosur në krye të IMT-së për të kontrolluar dosjet e lëna nga Eduart Veliu kushiririt të tij?
A po përdoret drejtimi aktual për të rregulluar dokumentacionin, për të mbuluar gjurmët administrative apo për të neutralizuar provat që mund t’i duhen Prokurorisë?
Kjo është pyetja thelbësore, a është Fatjon Veliu drejtues i ri i një institucioni të pastruar, apo përfaqësues i grupit të tretë të dyshuar që ruan vazhdimësinë e skemës?