Dosja e pronave në Orikum, Dukat, Tragjas dhe Radhimë rikthehet në SPAK/ Prokuroria e Vlorës dyshon për grup të strukturuar kriminal

Dosja e denoncimit të banorëve të Orikumit, Dukatit, Tragjasit dhe Radhimës për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave në zonën e tyre ka marrë një kthesë të fortë hetimore.

Rreth një vit më parë, banorët e kësaj krahine depozituan në Prokurorinë e Posaçme një kallëzim penal, ku denonconin një skemë të gjerë të dyshuar për grabitjen, falsifikimin dhe tjetërsimin e pronave të tyre. Sipas banorëve, tokat e trashëguara dhe të përfituara ndër vite janë kaluar në emra të tretë përmes dokumenteve të falsifikuara, vendimmarrjeve abuzive dhe ndërhyrjeve të dyshuara nga zyrtarë publikë.

Por në atë kohë, SPAK nuk e mbajti çështjen në hetim dhe shpalli moskompetencën, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Vlorës.

Pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Vlorës, dosja duket se është kthyer sërish në pikën nga ku nisi, te SPAK. Sipas burimeve, nga veprimet hetimore janë evidentuar elementë të veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të produkteve të veprës penale, korrupsionit dhe grupit të strukturuar kriminal.

Pikërisht për shkak të dyshimeve për grup të strukturuar kriminal dhe përfshirje të mundshme të zyrtarëve në skemën e tjetërsimit të pronave, Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën dhe ia ka dërguar dosjen Prokurorisë së Posaçme.

Të premten, sipas burimeve pranë çështjes, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë marrë pranë Prokurorisë së Vlorës materialet hetimore dhe dosjet që lidhen me këtë procedim.

Ky zhvillim ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si është trajtuar fillimisht kallëzimi i banorëve. Nëse Prokuroria e Vlorës, pas hetimeve, ka konstatuar elementë të një skeme me përmasa të krimit të organizuar, atëherë pyetja është e drejtpërdrejtë: pse SPAK nuk e mbajti çështjen që në fillim?

Banorët e Orikumit, Dukatit, Tragjasit dhe Radhimës kanë paralajmëruar prej kohësh se nuk bëhet fjalë për konflikte të zakonshme pronësie, por për një skemë të organizuar që, sipas tyre, ka synuar zhveshjen e komunitetit nga tokat dhe pasuritë e trashëguara.

Në qendër të dosjes janë dyshimet për falsifikim dokumentesh, regjistrime të paligjshme, kalime pronësie të dyshimta dhe përfitime të mëdha ekonomike nga sipërfaqe toke në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Rikthimi i dosjes në SPAK konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, pasi tashmë çështja nuk trajtohet më vetëm si konflikt pronësor apo abuzim administrativ, por si një dosje me dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.

Tashmë pritet që SPAK të regjistrojë procedimin, të administrojë plotësisht aktet e Prokurorisë së Vlorës dhe të verifikojë zinxhirin e përgjegjësisë: kush falsifikoi dokumentet, kush i përdori, kush i legalizoi, kush i regjistroi dhe kush përfitoi nga tjetërsimi i pronave.

Për banorët e Orikumit, Dukatit, Tragjasit dhe Radhimës, ky është momenti kur drejtësia duhet të tregojë nëse është në gjendje të shkojë deri te emrat e vërtetë të skemës.