Dosja e ndërtimeve pa leje në Sarandë po merr përmasa të reja skandali. Sipas informacioneve të siguruara, ditën e djeshme janë vetëdorëzuar katër punonjës të tjerë të IMT Sarandë, të cilët ishin në kërkim në kuadër të hetimeve për favorizimin e ndërtimeve pa leje.
Dorëzimi i tyre i njëkohshëm ka ngritur dyshime të forta se ata janë paraqitur pranë policisë me bindjen se masa e sigurisë do t’u zbutet dhe se do të dalin të lirë.
Në qendër të këtyre dyshimeve përmendet emri i Mariglen Bashos, djali i xhaxhait të prokurores së çështjes, Esmeralda Basho. Sipas denoncimeve, Mariglen Basho dyshohet se luan rolin e ndërmjetësit në kontaktet dhe pazaret e mundshme për lehtësimin e masave ndaj personave të përfshirë në dosjen e IMT Sarandë.
Rasti ngjan me atë të Irakli Koçiajt, punonjës policie në Ksamil, ndaj të cilit ishte caktuar masa “arrest në burg”, por pas vetëdorëzimit masa iu zëvendësua në “detyrim paraqitje”, me kërkesë të prokurorit.
Pyetjet janë të drejtpërdrejta: kush i garantoi katër punonjësit e IMT-së se do të përfitonin lehtësim mase? Pse Policia dhe Prokuroria e Sarandës heshtën për vetëdorëzimin e tyre? Çfarë roli ka Mariglen Basho në këtë dosje?
Nëse këto denoncime konfirmohen, atëherë skandali nuk është më vetëm te ndërtimet pa leje. Skandali shkon te vetë mënyra se si po menaxhohet drejtësia në Sarandë.
Dosja e IMT-së nuk duhet të kthehet në pazar masash sigurie. Duhet hetuar kush ndërtoi, kush lejoi, kush pagoi dhe kush po përpiqet sot t’i shpëtojë të përfshirët.
Saranda ka nevojë për hetim mbi ndërtimet pa leje, por edhe për hetim mbi vetë hetimin.