Duke qenë se Komisioni i Pavarur i Kualfikimit nuk ka gjetur probleme për gjyqtarin e Sarandës, Sokol Pina në asnjë prej kritereve të rivlerësimit atëherë pritet shumë shpejt konfirmimi i tij në detyrë.
Gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Sokol Pina u përball sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatës seancës dëgjimore u njoh me rezultatet e hetimit për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Pina kryesohet nga Firdes Shuli, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm, Theo Jacobs.
Sokol Pina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe punoi fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Prej vitit 2015, ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Sarandë, ndërkohë që në nëntor të vitit 2020 është deleguar në Apelin e Gjirokastrës.
Në seancën dëgjimore nuk u evidentuan probleme domethënëse në asnjë prej të tri kritereve të rivlerësimit.
Relatori Hamitaj tha se gjyqtari Pina ka pasur burime të ligjshme për shpenzimet e kryera gjatë periudhës së rivlerësimit, konkretisht për blerjen e një autoveture tip Ford Focus në shumën 800 euro + 46 mijë lekë për zhdoganimin dhe 70 euro takes regjistrimi; për pagesat e qirasë mujore në shumën 10 mijë lekë për një shtëpi në përdorim në Sarandë, si dhe për shpenzimet e jetesës.
Ndërkohë në vitin 2020 rezulton se gjyqtari Pina ka blerë një automjet tip Toyota në shumën 5700 euro me kursimet nga pagat.
KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 27 prill, në orën 09:30.