Edhe pse Bashkimi Europian shpresonte që takimi mes Albin Kuritit dhe Aleksander Vucic të zhvillohet më 11 maj, kjo gjë nuk do të ndodh. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një deklaratë për mediat në Bruksel se nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Aktualisht Kurti ndodhet në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku ka zhvilluar takim me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.
Të hënën, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha pas një takimi me presidentin serb Vuçiç, se shpresonte që më 11 maj të mbahej raundi i ri i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Për herë të parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti foli për të ashtëquajtuarat “non papers” të publikuara nga mediat në Ballkan, për zgjidhjen e mundshme të çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të mundësisë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
“Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe se raportet në “Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor”.