“Arif Tafani, kryebashkiaku që e ktheu Belshin në pronë të dy firmave”

Në Belsh, qytetarët mund të ndërrojnë kryetar bashkie me votë, por firmat që përfitojnë tenderat nuk ndryshojnë kurrë. Nën drejtimin e Arif Tafanit, Bashkia është kthyer në një zyrë private ndarjeje fondesh, ku çdo procedurë tenderuese duket se ka një destinacion të paracaktuar: kompanitë “Hysa” dhe “Tre Fratelli”.

Në një vend normal, tenderët zhvillohen mbi bazën e projekteve të miratuara, preventivëve të detajuar, dhe konkurrencës së lirë. Në Belsh, këto janë fjalë boshe. Tenderat jepen shpesh pa projekt, pa preventiv, pa transparencë, dhe mbi të gjitha  pa turp. Qytetarët nuk shohin publikime të rregullta, nuk shohin njoftime për konkurrencë, por vetëm emrat e përhershëm të fituesve.

Kompania “Hysa” dhe “Tre Fratelli” janë kthyer në aksionerët e heshtur të buxhetit të bashkisë, duke u alternuar sipas dëshirës së kryetarit, ndërkohë që qyteti përballet me mungesë investimesh reale, punime të dobëta, dhe vepra të nisura për sy e faqe. Ky nuk është më një bashkim vendor, por një biznes familjar në duar të pak njerëzve të afërt me pushtetin lokal.

Burime brenda administratës lokale konfirmojnë se shumë nga tenderat zhvillohen me dokumentacion të paplotë, apo me kritere të formuluara që përjashtojnë konkurrentët potencialë. Në disa raste, preventivat janë bërë pasi është firmosur kontrata, duke shpërdoruar haptazi fondet publike dhe duke anashkaluar çdo formë ligjore të kontrollit dhe auditimit.

Ndërkohë, institucionet shtetërore, që nga KLSH e deri te prokuroria, vazhdojnë të rrinë në heshtje, duke legjitimuar këtë model korruptiv të përhershëm, ku taksat e qytetarëve shndërrohen në përfitime për një rreth të ngushtë miqsh dhe klientësh.

Në Belsh nuk ka më shtet, ka një skemë, ku pushteti dhe biznesi janë bërë një, dhe qytetari thjesht paguan faturën.

Derisa të ketë hetim real, ndëshkim dhe ndërprerje të kësaj skeme të pashqetësuar për vite, qyteti do të vazhdojë të jetë simbol i kapjes së institucioneve nga interesat private, dhe Arif Tafani, një nga shembujt më klasik të asaj që ndodh kur bashkia kthehet në një zyrë ndarjeje tenderash për klientelën.