“Besova se mund të fitonim betejën për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, por përballë kishim një regjim. Miliona euro të hedhura për të blerë votën, përdorën milionat e koncensioneve, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan votuesit, gazetarët, median. Votat e pavlefshme janë dyfishi i diferencës mes nesh dhe atyre.
Edi Rama kandidoi përfaqësuesit e krimit, bashkëpunoi me Tom Doshin, i cili ka Botën demokratike kundër. Ne jemi më të vendosur se kurrë, kushdo që mendon se do të dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne do e vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë, ne do të vazhdojmë deri në fitore”, tha Basha.
Ai u shpreh se nëse ne dorëzohemi, Shqipëria nuk ka asnjë mundësi, dhe kjo s´do të ndodhë kurrë.
Basha shprehu falenderime për shqiptarët që votuan koalicionin PD-AN, ndërsa u shpreh se mbi 600 mijë shqiptarë i besuan alternativës sonë.
“Ne do të luftojmë për ju, do të luftojmë për qindra e mijëra shqiptarë që votuan për ne, zëri juaj do të dëgjohet fort”, tha Basha.
Nën thirrjet liri-demokraci dhe poshtë komunizmi, Basha tha se fryma e ndryshimit është më e fortë se kurrë, ne jemi më të fortë se kurrë për të mbrojtur demokracinë.
“Beteja vetëm ka filluar dhe ne do e çojmë atë deri në fund, demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë”, tha Basha.