Bashkia publikon PAMJET: Shikoni si duket shkolla “Andrea Stefani” te Dogana, do mbajë emrin e gazetarit që u nda nga jeta 5 vite më parë

Zona e Astirit në Tiranë do të ketë shumë shpejt një shkollë të re 9-vjeçare, me parashkollor, të dizajnuar nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri.  Shkolla, e cila po ndërtohet afër rrethrrotullimit “Shqiponja”, do të mbajë emrin e gazetarit dhe publicistit, Andrea Stefani, i ndarë papritur nga jeta në vitin 2016.

Ajo do t’u shërbejë mbi 1 mijë nxënësve të komunitetit të Astirit dhe Doganës, dhe është një kërkesë e hershme e banorëve. Shkolla e re pritet të ulë edhe numrin e nxënësve në shkollat e tjera të Kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës ka publikuar mëngjesin e kësaj të hëne (7 Qershor 2021) pamjet e punimeve për shkollën e re që do të mbajë emrin e Andrea Stefanit. Pamje që tregojnë se pjesa më e madhe e punimeve ka përfunduar.

Shkolla e re do të ofrojë jo vetëm mjedise tepër estetike, por njëkohësisht edhe mjaft moderne, duke plotësuar të gjithë standardet evropiane, që nga numri i nxënësve nëpër klasa, laboratorë e gjer te terrenet sportive dhe hapësirat e jashtme, që do të mund të përdoren dhe nga komuniteti.