Gjykata Evropiane e Llogarive, agjencia mbikëqyrëse e Komisionit Evropian, vlerëson në një raport të posaccëm se mbështetja e programeve të BE-së për shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe në vendet e tjera kandidate ka pasur pak efekt përballë “vullnetit të pamjaftueshëm politik”.
Gjykata Evropiane e Audituesve publikoi një raport shumë kritik për gjendjen e shtetit të së drejtës mes vendeve kandidate për anëtarësim në BE si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut e të tjera, ndërsa doli në përfundimin se fondet, asistenca teknike dhe presioni politik nga Brukseli mbi këto vende kanë pasur “ndikim të paktë”. Raporti vëren se një problem madhor në këtë drejtim nuk gjendet vetëm te BE-ja por edhe në “kontekstin e vullnetit të pamjaftueshëm politik, dhe mungesës së angazhimit” nga qeveritë e këtyre vendeve dhe kjo ka bërë që mbështetja e BE-së të jetë “në përgjithësi e pamjaftueshme për të luftuar problemet në fusha të tilla si pavarësia e sistemit të drejtësisë, përqendrimi i pushtetit, ndërhyrja politike dhe korrupsioni”.
Bashkimi Evropian ka shpenzuar rreth 700 milionë euro nga viti 2014 deri në vitin 2020 si një nga kolonat e ndërhyrjes ndërsa “dialogu politik” ose presioni ndaj udhëheqësve të këtyre vendeve për reforma, konsiderohet kolona tjetër. Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve u përgatit me synim për të vlerësuar nëse këto ndërhyrje kanë qenë në lartësinë e sfidës.
Audituesit vlerësojnë se masat e ndërmarra nga BE për të trajtuar dy probleme, kapacitetet e dobëta administrative në këto vende dhe vullnetin politik të politikanëve vendëse “janë tepër të pakta dhe shpesh joefikase”. Audituesit kritikojnë Komisionin për atë që e quajnë “aplikim jokonsistent i parakushteve për financimin dhe zbatimin e projekteve” si dhe mendojnë se Brukseli “e ka shfrytëzuar tepër rrallë mundësinë e pezullimit të ndihmave në rast se përfituesi dështon të respektojë parimet themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Audituesit thonë gjithashtu se mbështetja e BE-së për shoqërinë civile është e pamjaftueshme dhe e mbështetur përgjithësisht në projekte afatshkurtra.
“Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dukshëm nuk ka qenë e suksesshme në sjelljen e ndryshimit,” deklaroi Juhan Parts, anëtar i Gjykatës Evropiane të Auditorëve në një njoftim për shtyp.
“Progresi modest i bërë përgjatë 20 viteve të fundit kërcënon qëndrueshmërinë e përgjithshme të mbështetejes që BE ka dhënë nën kuadrin e procesit të anëtarësimit. Reformat e vazhdueshme humbasin besueshmërinë në rast se ato nuk japin rezultate të prekshme,” shtoi Parts.
Programet për Shqipërinë kanë qenë 134 milionë euro përgjatë periudhës 2014-2020, sipas raportit.