Berisha: Rama e kapi reformën në drejtësi me ndihmën e Lu dhe Vlahutin

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh këtë të Premte se reforma në drejtësi është kapur nga Edi Rama me ndihmën e ish-ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Berisha tha në emisionin “Zonë e Lirë” se për reformën në drejtësi ka dhënë kontribut substancial.

“Kam dhënë kontribut substancial, e ka thënë vetë Lu, në ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Berisha.

“Por do denoncoj kapjen që i ka bërë Rama drejtësisë në çdo hallkë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Rama kapi çdo hallkë me ndihëm e plotë të Lu dhe Vlahutin. Rama e bëri me bekimin e Soros. SHBA s’mund t’ju japi dikujt mbështetje për kapjen e ekzekutivit”, shtoi ai.

Berisha tha se vendimi i DASH është bazuar në shpifjet e “lobimit korruptiv Rama-Soros” që kanë keqinformuar Sekretarin Amerikan, Anthony Blinken.

Lobimi, sipas Berishës, erdhi si hakmarrje për qëndrimin e tij kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi. Një projekt, tha Berisha, i mbështetur fuqishëm nga Rama, Thaçi, Soros e Vuçiç.