Urdhri i Shtëpisë së Bardhë vjen ndërsa ajo përpiqet të shpejtojë procesin e imunizimit për të frenuar përhapjen e COVID-19, i cili vetëm në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar më shumë se 528,000 vdekje.
Presidenti Biden e bëri njoftimin në një takim me shefat ekzekutivë të kompanive J&J dhe Merck. Firma Merck ka rënë dakord të hyjë në partneritet me J&J për të prodhuar vaksinën e vet.
“Ne kemi nevojë për një fleksibilitet maksimal. Ekziston gjithmonë mundësia që të hasim në sfida të papritura,” tha zoti Biden. “Shumë gjëra mund të ndodhin, shumë gjëra mund të ndryshojnë prandaj duhet të jemi të përgatitur.”
Presidenti ka thënë më parë se Shtetet e Bashkuara do të kenë furnizime të mjaftueshme për të vaksinuar popullatën e SHBA deri në fund të majit.
Por Shtëpia e Bardhë po kërkon të ketë më shumë doza në dispozicion.
Nëse vendi do të ketë sasi shtesë, ato do të ndahen me të tjerët, tha zoti Biden. “Nëse kemi tepricë, do ta ndajmë me pjesën tjetër të botës,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë paguar tashmë mbi 1 miliard dollarë për 100 milion doza vaksine J&J dhe kanë alternativën për të blerë një shtesë prej 200 milion dozash.
Që nga e marta në mëngjes, në Shtetet e Bashkuara janë shpërndarë rreth 128 milion doza nga tre vaksinat e autorizuara dhe janë administruar gati 96 milion, sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Por prodhimi i J&J ka qenë më i ngadaltë nga sa shpresohej dhe këtë javë nuk pritet të rezultojë në doza të reja. Kompania pritet t’i rifillojë dërgesat më vonë gjatë këtij muaji.
Drejtoresha e CDC Rochelle Walensky tha se pika kulmore e arritur me rastet e infektimeve duket se po shkon drejt rënies. Edhe shtrimet e reja në spitale dhe vdekjet e lidhura me koronavirusin janë gjithashtu në rënie, tha ai.
“Këto prirje kanë filluar të shkojnë në drejtimin e duhur, por numri i rasteve, i shtrimeve në spital dhe i vdekjeve mbetet ende shumë i lartë dhe janë një kujtesë e zymtë se ne duhet të qëndrojmë vigjilentë ndërsa punojmë për të rritur përpjekjet tona të vaksinimit në të gjithë vendin,” tha ajo .
Shtetet e Bashkuara i miratuan vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna në dhjetor dhe këto kompani kanë vazhduar punën për të rritur prodhimin që nga ajo kohë.
Pfizer dhe Moderna janë zotuar ta furnizojnë vendin me 120 milion dhe 100 milion doza përkatësisht, deri në fund të marsit. Ato kanë rënë dakord për 300 milion doza secila deri në fund të korrikut./VOA